Një 27-vjeçar grek është arrestuar në lidhje me vrasjen e Artur Bashimit, një shtetas shqiptar 47-vjeç, ngjarje që ndodhi më 18 gusht në zonën Agios Panteleimonas të Athinës. Mediat greke raportojnë se i riu, përdorues droge, ka pranuar se kreu vrasjen në këmbim të një pagese prej 15 mijë eurosh.
Sipas dëshmisë së tij, ai nuk ka dijeni se kush ishte urdhëruesi i vërtetë i krimit apo motivet pas tij, duke sqaruar se porosia për eliminimin e viktimës ka ardhur nga brenda burgut.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 21:25 në kryqëzimin e rrugëve Michael Voda dhe Rodou. Autori, që lëvizte me një motoçikletë, iu afrua viktimës dhe hapi zjarr, duke e lënë të vdekur në vend.
Hetimet në vendin e krimit zbuluan një fishek dhe një gëzhojë arme zjarri, ndërsa nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se viktima kishte marrë një plagë vdekjeprurëse në gjoks nga plumbi./Prothema