Në një atmosferë solemniteti e përkushtimi shpirtëror, Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Joani, kremtoi ditën e emrit të tij, në përkujtim të jetëndërrimit të Apostullit Joan, një prej figurave kyçe të Kishës së hershme.

Ceremonia kryesore u zhvillua në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku u mbajt Luturgjia Hyjnore me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora. Liturgjia u drejtua nga vetë Kryepiskopi Joani, në bashkëmeshim me hierarkinë e lartë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: Mitropolitin e Fierit, Hirësinë e Tij Nikolla, Mitropolitin e Elbasanit, Hirësinë Andoni, Mitropolitin e Beratit, Hirësinë Asti, Mitropolitin e Gjirokastrës, Hirësinë Nathanaili, si dhe Mitropolitin e zgjedhur të Korçës, Hirësinë Anastasi. Prania e klerikëve nga të gjitha Mitropolitë pasqyroi unitetin dhe forcën shpirtërore të Kishës në këtë ditë të veçantë.

Pas përfundimit të Liturgjisë, në Sallën e Pritjeve të Qendrës Sinodike u organizua një pritje festive, ku Imzot Joani u përshëndet me urime të përzemërta nga klerikë, besimtarë të shumtë, të rinj, fëmijë, si dhe personalitete të jetës publike e diplomatike në vend. Mes uruesve ishin edhe deputetë, akademikë dhe studiues të fushave të ndryshme.

Kremtimi i kësaj dite të shënuar u përshëndet gjithashtu me mesazhe urimi nga primatët e Kishave Orthodhokse simotra. Urime të veçanta erdhën nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, Bartholomeu, nga Patriarku i Moskës dhe i Gjithë Rusisë, Kirili, Patriarku i Jerusalemit, Theofili III, si dhe nga Shenjtëria e Tij, Papa Leoni XIV, duke theksuar vlerësimin dhe lidhjet e forta që Kryepiskopi Joani gëzon në mbarë botën orthodhokse dhe përtej saj.

Kjo ditë kremtimi ishte jo vetëm një moment personal për Kryepiskopin, por edhe një dëshmi e gjallë e gjallërisë së besimit orthodhoks në Shqipëri dhe e rolit që Kisha luan në jetën shpirtërore dhe shoqërore të vendit.