Inspektori i Lartë i Drejtësisë në bashkëpunim me projektin Matra të qeverisë së Mbretërisë së Holandës zhvillon sot një takim të nivelit të lartë me institucione të tjera të drejtësisë për të folur mbi çështje të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit.

Përpara përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, përfshirë dhe kreun e SPAK, Altin Dumani, kreu i ILD-së, Artur Metani mbajti fjalën e tij duke iu referuar një teme mjaft të diskutuar gjatë ditëve të fundit përs i përket reagimeve publike apo ‘sulmeve’ nga aktorë politikë, përmendim këtu kryeministrin Edi Rama, drejt gjyqtarëve apo prokurorëve për vendimet e shpallura nga këto të fundit.

Artur Metani është shprehur se këto reagime janë të papranueshme dhe antikushtetuese si dhe konsiderohen fyerje ndaj magjistratëve dhe punës së tyre. Kreu i ILD sqaron se përgjigja direkte e këtyre reagimeve nuk është punë e asnjë gjyqtari dhe se mosreagimi nuk është dobësi nga ana e tyre, por është vetëpërmbajtje.

“U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Kjo i vë magjistratët në provë të vështirë. Por, testi i pavarësisë, i ndarjes se pushteteve dhe i shtetit te se drejtës, nuk është vetëm retorikë.

Ndryshe nga pushtetet apo institucionet e tjera, magjistratët dhe institucionet e pavarura të drejtësisë e kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën për t’u treguar të përmbajtur, edhe kur sulmohen pa të drejtë. Mes zërave të fortë publikë, kjo i bën që të perceptohen si të dobët, por nuk është aspak ky rasti. Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë. Pavarësisht deklaratave të aktorëve të ndryshëm publikë, magjistratët nuk duhet të harrojnë se reagimet publike nuk janë pjesë e funksionit të tyre. Por, vetëpërmbajtja po! Vetëpërmbajtja nuk është dobësi e asnjë lloj natyre, por respekt për lirinë e shprehjes në demokraci, është largësi kushtetuese nga natyra politike e pushteteve të tjera. Deontologjia politike nuk duhet të diktojë sjelljen e magjistratëve. Në këtë rast, besoj se thelbi i shtetit ligjor dhe i vlerave evropiane është pikerisht mënyra sesi sillemi, edhe kur nuk biem dakord me vendimet e njëri-tjetrit”, tha Metani.