Alba Malltezi/
Të rinjtë në Kuvendin e ri të Shqipërisë duhet të jenë ndryshe. Vetëm nëse do të arrijnë të jenë ndryshe, do të mund të kuptojmë se me të vërtetë në Kuvendin e Shqipërisë në shtator 2025, kemi deputetë të rinj. Ata duhet të sjellin një virtyt që ka munguar në gjithë këto dekada lirie me nuanca të thella anarkie: Përmbajtjen nga e drejta pa frena për të ofenduar, përbaltur, sulmuar, ndarë, sharë, kërcënuar çdo kundërshtar.
Vetëm kur të shohim një politikan, deputet të ri që nuk bëhet vetë gjykatës e vetë prokuror i kujtdo që e cënon apo e lëndon, do të kuptojmë se në mendjen e tij Drejtësia dhe Gjykimi i është besuar institucioneve që duhet dhe kanë për detyrë të merren me ruajtjen e balancave. Do të kuptojmë se Drejtësia dhe Gjykimi nuk është pronë e saj, e tij. Kafshimi i gjuhës për të mos u vërsulur duke sharë si fillim kolegë e të tjerë politikanë, e më pas familjarët e tyre, nuk është autocensurë apo politikë e keqe, është përmbajtja e hedhjes së helmit në publik, mes shqiptarëve që nuk i kanë mjetet, mundësitë e një politikani, të një gazetari apo të një njeriu të institucioneve për të verifikuar e për të dalluar gënjeshtrën nga e vërteta që thuhet.
Të rinjtë në Kuvendin e ri të Shqipërisë duhet të sforcohen shumë për të qenë ndryshe. Të majtë apo të djathtë qofshin, duhet të fokusohen në dëshirën e madhe për të qenë konstruktivë dhe jo shkatërrues, dëgjues të aftë dhe jo sulmues, të ndjeshëm për të kuptuar një ide të mirë edhe mes kundërshtarëve dhe një qëllim të vlefshëm edhe mes më të papëlqyerve. Të rinjtë në Kuvendin e ri të Shqipërisë duhet të jenë bashkues të një vendi të vogël të copëtuar përherë; nga të huajt, por më së shumti prej vetë nesh.
Spektakli i trishtë i disave prej tyre në politikën parazgjedhore, të cilët u panë me shpresë e besim, zhgënjeu shumë. Në vend që të ngrinin partitë në nivelin e ëndrrave, ishin partitë, ambicja për pushtet të shpejtë dhe pa kushte, që i dërrmoi si kokrra rrushi të shtypur nën këmbët e kënaqura të politikës së vjetër.
Nuk do të lodhemi asnjëherë për të inkurajuar më të mirët mes nesh, në politikë a në shoqërinë shqiptare e cila, pas tranzicionit të lodhshëm ka kaq shumë nevojë për paqen dhe qetësinë e mendjes dhe të zemrës. Sepse, vetëm nën tingujt e çmuar dhe të rrallë që sjell ekuilibri, respekti mes njerëzve dhe institucioneve, mund të bëhemi gjithnjë e më të mirë duke gjetur rrugën tonë të duhur dhe të merituar në qytetërim.