Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale nr. 27/2024 ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 28 të pandehurve të tjerë – individë, biznese dhe organizata jofitimprurëse.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Veliaj akuzohet për 13 vepra penale, ndër to:
• Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë,
• Pastrim i produkteve të veprës penale,
• Shpërdorim detyre,
• Mosdeklarim dhe fshehje pasurie,
• Futje të sendeve të ndaluara në burgje, etj.

Ndërkohë, Ajola Xoxa përballet me 10 akuza, ku përfshihet korrupsioni pasiv, pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe blerje luksoze në vlerën e mbi 86 milionë lekëve, të dyshuara si përfitime të parregullta nga fondet publike dhe lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia Tiranë.

30 të pandehur në total përfshirë biznese dhe OJF

Në listën e të pandehurve përfshihen emra të njohur si:
• Shkëlqim Fusha (Fusha shpk),
• Gentian Sula (Agi Kons shpk),
• Fatmir Bektashi (Kontakt shpk),
• Meriman Palushi (Palushi shpk),
• Linda Kazani, Ina Goxhaj, Erald Simixhiu (përfaqësues të OJF-ve),
• si dhe organizatat “Harabel”, “Muza”, “Eventus”, “BYL-A”, “Frobolous”, të akuzuara për përfshirje në skemat e pastrimit të parave dhe dhënie ryshfeti.

SPAK deklaron se hetimet kanë provuar se Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, ka miratuar me firmën e tij ndarjen e fondeve publike dhe lejeve të ndërtimit, në shkëmbim të përfitimeve personale dhe familjare në formën e shumave monetare, pronave të paluajtshme dhe bizneseve nën kontrollin e bashkëshortes së tij.
Prova të grumbulluara – skemë e sofistikuar për pastrim parash
Sipas SPAK, shumat e përfituara janë futur në sistemin bankar përmes OJF-ve dhe kompanive të afërta me çiftin Veliaj-Xoxa, në përpjekje për të fshehur origjinën e paligjshme të pasurive. Gjithashtu, Veliaj akuzohet se ka miratuar një plan zhvillimi urban (PDV) dhe leje ndërtimi në një zonë ku bashkëshortja e tij kishte interesa të drejtpërdrejta, duke vepruar në kushte të qarta konflikti interesi dhe në shkelje të ligjit.

Dosja përfshin gjithashtu akuza për:
• Deklarim të rremë të pasurive,
• Shmangie nga detyrimet tatimore,
• Veprime për pengimin e drejtësisë, ku përfshihet edhe deputetja Klotilda Bushka dhe të tjerë të pandehur për dëshmi të rreme.

Çështja i kalon Gjykatës së Posaçme

SPAK ka dorëzuar dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndërsa hetimet konsiderohen të mbyllura. Në njoftim thuhet se provat janë të mjaftueshme për të çuar çështjen për gjykim dhe se të gjitha veprimet e të pandehurve janë dokumentuar me akte konkrete, transfertë fondesh, kontrata dhe veprime të dyshimta financiare.