Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është përgjigjur me një shkresë zyrtare Këshillit Bashkiak, pas njoftimit për zhvillimin e një mbledhjeje nesër, që sipas burimeve mediatike, pritet të ketë në rend dite çështjen e shkarkimit të tij.

Në letrën drejtuar Këshillit Bashkiak, Veliaj ngre shqetësimin se nuk është informuar zyrtarisht mbi arsyet e mbledhjes, as mbi materialet që lidhen me iniciativën për shkarkimin e tij. Ai thekson se nuk i është mundësuar e drejta për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur, as fizikisht dhe as me shkrim, siç kërkohet në raste të tilla.

“Ende sot, një ditë përpara vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, nuk jam informuar zyrtarisht lidhur me mbajtjen e një mbledhjeje në të cilën do të vendoset për shkarkimin tim, shkaqet përkatëse, materialet që më ngarkojnë me përgjegjësi dhe të drejtat për t’u mbrojtur. E për pasojë, nuk më është krijuar mundësia për të dhënë shpjegime apo për të dëgjuar provat ndaj meje”, shkruan Veliaj.

Veliaj kritikon gjithashtu Sekretarin e Këshillit Bashkiak, duke e akuzuar se ka tejkaluar kompetencat ligjore, pasi sipas tij çdo komunikim për çështje që tejkalojnë funksionin teknik të sekretarisë përbën cenim të ndarjes së funksioneve dhe tejkalim kompetencash.

“Sekretari i Këshillit nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial. Ai është një funksionar administrativ dhe nuk ka asnjë tagër ligjor për të udhëzuar mbi mënyrën e realizimit të së drejtës për t’u dëgjuar”, thekson Veliaj në shkresën drejtuar Këshillit.

Veliaj kujton se ndodhet në kushtet e paraburgimit, çka kufizon ndjeshëm mundësitë për t’u mbrojtur në këtë proces, dhe se çdo veprim që kufizon të drejtën e tij për mbrojtje bie ndesh me të drejtat kushtetuese të një organi të zgjedhur lokal.

Në fund të shkresës, Veliaj deklaron se mbetet në pritje të një vendimmarrjeje me votim nga Këshilli Bashkiak, e cila të garantojë të drejtat e tij në këtë proces.