Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar me iniciale një polic të kufirit në doganën e Qafë-Botës në Sarandë, pasi ka lejuar të dilnin jashtë shtetit dy persona të kërkuar për prodhim dhe shitje narkotike.
Në prangat e AMP ka rënë inspektori K.C., me detyrë kontrollor në policinë kufitare të Qafë-Botës.
Inspektori ka lejuar të kalonin kufirin dy persona me iniciale T.H. dhe R.H. për të cilët Prokuroria e Elbasanit kishte urdhëruar ndalimin e tyre në kuadër të një hetimi të vitit 2023 për prodhim e shitje narkotikësh.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ndaluar me iniciativë punonjësin e policisë Inspektor K. C., me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare “Qafë Botë”, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
Ndalimi i tij u bë i mundur pasi në datën 07.09.2025 rreth orës 12:39, ka lejuar kalimin e shtetasve T. H. dhe R. H., ndaj të cilëve Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kishte urdhëruar ndalimin në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].