Presidenti amerikan Donald Trump sinjalizoi të mërkurën masa të reja kundër grupeve të majta, pas vrasjes së aktivistit politik të djathtë, Charlie Kirk, duke e shënjestruar lëvizjen anti-fashiste Antifa si një “organizatë terroriste.” Trump shkroi në rrjetin e tij social, Truth Social, se po e “cakton” këtë lëvizje si një organizatë terroriste.

“Do të rekomandoj gjithashtu me forcë që ata që financojnë ANTIFA-n të hetohen plotësisht, në përputhje me standardet dhe praktikat më të larta ligjore,” shkroi Trump. Nuk ishte e qartë se çfarë peshe ligjore kishte ky shpallim i Trump. Ekspertët thonë se Antifa është një lëvizje ideologjike e organizuar lirshëm, pa një strukturë të qartë udhëheqëse apo hierarki.

Një ditë pasi prokurorët në Utah paraqitën zyrtarisht akuzat kundër të dyshuarit për vrasjen e Charlie Kirk, nuk ka dalë asnjë provë që e lidh 22-vjeçarin Tyler Robinson me ndonjë grup të jashtëm. Po ashtu, mbeten të paqarta motivet e sakta të tij. Trump dhe zyrtarë të lartë të administratës së tij kanë fajësuar vazhdimisht grupet e majta për krijimin e një atmosfere armiqësore ndaj konservatorëve, përpara vrasjes së Kirk.

Një zyrtar i administratës Trump tha më herët të mërkurën se Shtëpia e Bardhë po përgatit një urdhër ekzekutiv për dhunën politike dhe gjuhën e urrejtjes. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, në një intervistë për Fox News të mërkurën, fajësoi përsëri atë që e quajti radikalizëm politik i krahut të majtë për vrasjen.

Ai tha se Shtëpia e Bardhë po punon me ngulm për të siguruar që “rrjetet e financimit të dhunës së majtë” të trajtohen si organizata terroriste. Kritikët thonë se Trump po e përdor vrasjen e Kirk si justifikim për të goditur kundërshtarët e tij politikë. Trump e kishte hedhur për herë të parë idenë për ta shpallur Antifa-n organizatë terroriste në vitin 2020, gjatë protestave të dhunshme në mbarë vendin pas vrasjes nga policia të George Floyd në Minneapolis.

Në atë kohë, ekspertët ligjorë theksuan se një hap i tillë nuk kishte bazë ligjore, do të ishte i vështirë për t’u zbatuar, dhe ngrinte shqetësime për lirinë e fjalës, duke qenë se abrazimi i një ideologjie nuk konsiderohet zakonisht vepër penale. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për më shumë detaje të mërkurën.