Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, pësoi një aksident me biçikletë një ditë më parë. Pas incidentit ai u dërgua në urgjencë për një ndërhyrje kirurgjikale për një klavikul të thyer.
Lajmin e bëri të ditur klubi francez në rrjetet sociale.
“Pasi pësoi një aksident me biçikletë këtë të premte, trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, u dërgua në urgjencë dhe do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për një klavikul të thyer. Paris Saint-Germain shpreh mbështetjen e plotë për Luis Enrique dhe i uron atij shërim të shpejtë. Klubi do të japë më shumë informacion së shpejti”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga PSG.
PSG nuk specifikoi në deklaratën e saj se sa kohë trajneri spanjoll do të jetë i padisponueshëm. Ekipi francez do të kthehet në aksion të dielën, më 14 shtator, kundër Lens, në javën e katërt të kampionatit francez.
Luis Enrique iu bashkua PSG-së në vitin 2023 dhe ka fituar dy tituj kampioni, dy Kupa Franceze dhe Ligën e Kampionëve.