Shfaqja e filmit “Lejleku” të regjisorit shqiptar, Isa Qosja u ndërpre mbrëmjen e 3 shtatorit në festivalin e filmit Xhada në Podgoricë të Malit të Zi. Shkak u bë pakënaqësia që shprehu një grup se filmi ishte në gjuhën shqipe. Në vendngjarje mbërriti edhe policia, ndërsa organizatorët njoftuan ndërprerjen e filmit.

“Edhe pse besojmë në lirinë e shprehjes artistike dhe në dialogun që nxit kinemaja, vendosëm ta ndalim shfaqjen nga parimi i kujdesit. Policia ishte e pranishme me detyrë zyrtare.”, thanë organizatorët.

Ngjarja solli edhe reagimin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, duke thënë se janë të shqetësuar nga ndërprerja me dhunë e filmit në festivalin, që financohet nga Unioni.

Delegacioni i BE-së është i shqetësuar nga raportimet se një shfaqje e filmit në festivalin Džada të financuar nga BE u ndërpre me dhunë. Liria e shprehjes artistike është një pjesë integrale e lirisë së fjalës dhe një nga vlerat thelbësore demokratike.”, thuhet në deklaratën e delegacionit të BE-së në Mal të Zi.

Ngjarja e filmit zhvillohet në fshatin Vuthaj, të banuar me popullsi shqiptare, në kufirin malazezo-shqiptar. Tema e emigracionit rrëfehet përmes historisë së tri brezave të grave fatkeqe.