Vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”.

Policia e Malësisë së Madhe ka finalizuar një tjetër goditje ndaj kultivimit të bimëve narkotike, duke arrestuar në flagrancë dy shtetas në fshatin Alijaj, të cilët u kapën në parcelë, teksa kujdeseshin për bimët narkotike.

Në pranga ranë shtetasit E. Sh., 47 vjeç, dhe K. Sh., 74 vjeç, banues në Alijaj, ndërsa u shpallën në kërkim dy të afërm të tyre, vëllezërit B. Sh., 22 vjeç, dhe G. Sh., 25 vjeç. Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë shtetasja S. Sh., 57 vjeçe.

Sipas hetimeve të kryera në bashkëpunim me DVKM Shkodër, dyshohet se këta shtetas kanë qenë të përfshirë në kultivimin e 5093 bimëve të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa, të mbjella pranë banesave të tyre në fshatin Alijaj.

Bimët narkotike janë asgjësuar me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.