Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se reforma për mbrojtjen e territorit është një domosdoshmëri urgjente. Ai theksoi se paketa e re ligjore e propozuar nga qeveria për mbrojtjen e pronës dhe territorit është një hap drejt një modeli të ri zhvillimi.

“Garanton barazi në zhvillimin e hapësirave të përbashkëta publike siguri juridike për qytetarët dhe ndërtuesit dhe respekt ndaj trashëgimisë tonë natyrore dhe kulturore”, tha ai.

Manja tha se paketa ligjore synon të mbrojë territorin nëpërmjet masave administrative dhe penale.

“Paketa e masave ligjore që propozojmë sot synon mbrojtjen e tokës, territorit, natyrës dhe mjedisit nëpërmjet masave me karakter administrativ dhe masave me karakter penal që vijnë si reflektim dhe nevojë e ndryshimeve që kemi bërë me paketën e masave administrative”, tha Manja.

Por çfarë synon kjo paketë?

“Të ndalojë fenomenin e ndërtimeve pa leje duke forcuar mekanizmat ligjorë gjatë zbatimit të ndërtimit. Fillon që në fazat e para të ndërtimit, kur hapet kantieri, deri kur objekti dorëzohet me certifikatë përdorimi.

Të çlirojë dhe rikthejë hapësira publike duke i kthyer ato në funksion të jetës komunitare dhe zhvillimit urban të balancuar.

Të mbrojë resurset natyrore dhe mjedisin si një pasuri e patjetërsueshme kombëtare.

Të forcojë transparencën dhe kontrollin institucional në mënyrë që qytetarët të kenë besim se territori i vendit po administrohet me përgjegjësi dhe kohë reale.

Të nxisë turizmin dhe ekonominë e gjelbër duke siguruar hapësira të lira dhe të pastra për vizitorët dhe qytetarët dhe duke kontribuuar në krijimin e një fondi të gjelbër.

Ndalimin e abuzimeve me mosrespektimin e projekteve arkitektonike të miratuara nga organet përgjegjëse”, tha Manja.