Demokrati Ervin Salianji ka reaguar masakrën e Shkodrës me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur, teksa autori Ragip Gila ishte liruar nga qelia 6 muaj më parë.
Në një postim në Facebook, Salianji ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.
Salianji e vë theksin te autori, i cili u arrestua 2 vite më parë me armë e drogë, ndërsa doli nga burgu pasi kreu rreth 1 vit dënim.
Ai thotë se vetë u dënua me 1 vit burg për shpifje, që siç shprehet, vetëm sepse denonconte këtë kategori njerëzish të lidhur me qeverinë. Salinji la qelinë në korrik të këtij viti.
Në mars 2025, autori i masakrës, Ragip Gila u lirua nga gjykata e cila i pezulloi dënimin dhe vendosi shërbim prove 5 vite. Ai vuajti një pjesë dënimi vetëm për drogë, kurse për armët akuzat ju pezulluan 2 vite më parë shkak të amnistisë vjetore.
Reagimi i plotë i Ervin Salianjit:
Ngjarja tragjike e sotme në Shkodër, me dy jetë të humbura dhe të plagosur qytetarë që dalin të sigurojnë jetën me punë është një dhimbje e madhe për familjet e viktimave dhe për gjithë qytetin. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe shpresoj shërim të shpejtë për të plagosurit.
Kjo tragjedi nuk është vetëm një rast i izoluar dhune, por pasojë e një qeverie që përdor gjithçka për të siguruar vota për pushtet, duke prodhuar një sistem drejtësie që prodhon padrejtësi. Krimineli i sotëm është kapur me 1.3 kg drogë, jelekë antiplumb, maska silikoni, foto me armë në rrjete dhe ka bërë thuajse një vit burg për tu liruar më pas nga gjykatat, ndërsa qytetarët mbeten të pambrojtur, mijëra qytetarë popullojnë burgjet sot për disa gramë kanabis, mijëra të tjerë janë rrasur në burg se kanë suvatuar apo ndërtuar avlli apo stalla pa leje, e qindra të tjerë nuk dinë as pse dënohen vetëm se nuk kanë fuqi politike. E kam provuar vetë se si në të njëjtën kohë që kriminelë të rrezikshëm lirohen u dënova se denoncova këtë kategori të lidhur me qeverinë!
Kjo është fytyra e një qeverisje me drejtësi të kapur, që nuk mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Shqipëria ka nevojë urgjente për një drejtësi të vërtetë, që të garantojë siguri dhe barazi para ligjit për të gjithë.