Kylian Mbappe, ylli i Real Madridit ka ngritur sërish zërin kundër ngarkesës së kalendarit në futbollin modern, duke paralajmëruar se futbollistët nuk janë fizikisht të përgatitur për të përballuar më shumë se 60 ndeshje në një sezon.
Gjatë viteve të fundit, garat e reja si Superkupa e Spanjës, Nations League dhe ndryshimet në Champions League kanë shtuar dukshëm numrin e takimeve në sezon. Situata pritet të rëndohet edhe më shumë, pasi Kupa e Botës 2026 do të ketë 48 ekipe pjesëmarrëse, ndërsa në vitin 2030 turneu do të dyfishohet.
“Unë nuk e di nëse jemi gati të luajmë një sezon me 60 ndeshje. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjë lojtar në histori që ka mbajtur nivelin më të lartë për kaq shumë ndeshje radhazi. Gjithmonë ka takime ku performanca bie”, tha ai.
Kritikat e tij vijnë pas një vere të ngarkuar për Real Madridin, që mori pjesë në Kupën e Botës për Klube, duke fituar mbi 70 milionë euro, por duke shtuar edhe gjashtë ndeshje shtesë dhe duke shkurtuar periudhën përgatitore në vetëm 19 ditë.
Pavarësisht shqetësimeve, Mbappe e ka nisur sezonin në formë të shkëlqyer në La Liga, me 3 gola në 3 ndeshje për “Los Blancos” dhe një për kombëtaren franceze.