Mazhoranca duket e qartë këtë sesion parlamentar. Nuk do të qëndrojë në seancat ku sipas tyre nuk zhvillohet debati normal. Kjo u konfirmuar edhe nga ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu.
“Veprim demokratik i opozitës është të qëllojë duke fluturuar kushtetutat, duke shfaqur shenja dhune, verbale, madje dhe fizike, po ju them që ne nuk do jemi asnjëherë të gatshëm për të qenë të pranishëm në skena të dhunës parlamentare”, tha Gogu.
Por a ishte ky skenar nga shumica për të mos debatuar për programin e qeverisë? Toni Gogu e mohon.
“Skenari i mazhorancës ishte që të qëndronim deri në agimin e ditës së nesërme”, tha Gogu.
Kujtojmë se seanca plenare e cila ishte paralajmëruar si maratonë, ka zgjatur vetëm 26 minuta. Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me një porosi për skuadrën dhe paralajmërim për opozitën, sa i takon sjelljes në Parlament. Mjaftoi fjala e Diellës, ministres virtuale e cila dha një mesazh për qytetarët dhe kolegët, që në sallë të shpërthenin debatet.