Menaxheri shqiptar Franci Bode ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit Haroun Camara nga Al Shabab te Al Nassr FC, skuadra saudite ku luajnë emra të mëdhenj të futbollit botëror si Cristiano Ronaldo, Sadio Mané, Kingsley Coman, João Félix dhe Marcelo Brozović.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bode shprehet krenar për këtë arritje madhore në karrierën e klientit të tij.
“Jemi krenarë të konfirmojmë transferimin e klientit tonë Haroun Camara te Al Nassr FC me një kontratë 3-vjeçare, duke iu bashkuar një skuadre të klasit botëror të udhëhequr nga kapiteni Cristiano Ronaldo”, shkruan ai.
Camara do të mbajë fanellën me numrin “9” dhe pritet të jetë një nga pikat kyçe të repartit ofensiv të Al Nassr në sezonin e ri.
Franci Bode thekson se ky transferim është rezultat i një rruge të gjatë që kanë ndjekur bashkë që prej vitit 2019.
“Që nga fitimi i kampionatit dhe Superkupës me Al Ittihad, te kalimi te Al Shabab për më shumë minuta loje, e deri te ky transferim ëndrrash – kemi pasur privilegjin të udhëheqim karrierën e Haroun-it”, shkruan Bode.
Ai falënderon gjithashtu partnerët dhe drejtuesit e klubit të ri për bashkëpunimin dhe mbështetjen:
“Mirënjohje të veçantë për partnerin tonë të besuar Waleed Alyahya, falënderim të sinqertë për drejtuesit e Al Nassr, Simão Coutinho & José Semedo, dhe mbi të gjitha, për Haroun Camara për besimin dhe besnikërinë ndaj BFM.”
Në fund të mesazhit, menaxheri shqiptar shpreh besimin se gjithçka është e mundur me përkushtim dhe besim:
“Elhamdulilah. Çdo gjë është e mundur nëse beson.”