Qeveria prezantoi sot një paketë të re ndërhyrjesh ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, e cila synon të ndalojë fenomenin e ndërtimeve pa leje, të garantojë barazi në shfrytëzimin e hapësirave publike dhe të mbrojë trashëgiminë natyrore e kulturore.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, bëri të ditur masat e reja ligjore gjatë një takimi të zgjeruar me përfaqësues të institucioneve dhe grupeve të interesit, ku morën pjesë kryeministri Edi Rama dhe drejtueset e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.

Paketa e re sjell ndryshime në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Risitë përfshijnë inventarizimin e të gjitha hapësirave publike, regjistrimin e tyre në regjistrat kadastralë dhe ndalimin e zënies pa leje nga individë apo subjekte. Masa të ashpra parashikohen ndaj ndërtimeve pa leje, nëse punimet tejkalojnë me mbi 2% sipërfaqen e lejuar dhe nuk është e mundur prishja e objektit, konfiskohen për qëllime fitimi hapësirat e ndërtuara ose sipërfaqe ekuivalente. Për rastet mbi 10% konfiskohet i gjithë objekti për interes publik apo strehim social, ose kryhet prishja e tij.

Një tjetër element është krijimi i një regjistri kombëtar të zhvilluesve dhe individëve që shkelin ligjin, të cilët do të përjashtohen nga marrja e lejeve për pesë vjet. Kontrolli në terren do të forcohet përmes bashkëpunimit mes autoriteteve të zhvillimit të territorit, inspektorateve dhe policisë, duke përdorur teknologji moderne si dronët, kamerat dhe sistemet GIS.

Paketa parashikon gjithashtu masa ndëshkuese për administratën publike. Punonjësit e shtetit që përfshihen në ndërtime pa leje do të shkarkohen dhe do të ndalohen të ushtrojnë funksione publike për shtatë vjet. Këto sanksione përfshijnë një gamë të gjerë zyrtarësh që kanë kompetenca mbi planifikimin dhe kontrollin e territorit.

Zhvilluesit privatë do të kenë detyrime shtesë, si mbjellja e pemëve në raport me sipërfaqen e ndërtimit dhe sigurimi i hapësirave për fëmijë në objektet rezidenciale. Po ashtu, ndalohet ndryshimi i destinacionit të objekteve pa miratimin e autoriteteve, me procedura që do të miratohen nga Këshilli i Ministrave.

Sa i përket investimeve publike, paketa sjell lehtësira proceduriale, duke mundësuar nisjen e punimeve menjëherë pas vendimeve të KKTU, me më pak burokraci në dokumentacionin e pronësisë. Monitorimi i territorit do të bëhet me mjete bashkëkohore, ndërsa institucione si AZIIT dhe AKPT do të kenë rol të zgjeruar në organizimin e konkurseve, ekspozitave dhe projekteve që nxisin arkitekturën publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm.