Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në fjalën e saj gjatë aktivitetit “Shqipëria Turistike 2030”, theksoi se investimet strategjike në infrastrukturë dhe energji po japin rezultate konkrete në rritjen e turizmit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe vizitorët.
Duke nënvizuar rolin kyç të infrastrukturës në zhvillimin e turizmit, Balluku solli shembuj konkretë si rritja e fluksit të automjeteve në tunelin e Murrizit dhe atë të Llogorasë, që dëshmojnë ndikimin e drejtpërdrejtë të projekteve rrugore në destinacionet turistike të reja. Ajo bëri të ditur se vetëm në tre muaj, nga 1 qershori deri më 31 gusht, nga tuneli i Llogorasë kanë kaluar gati 1 milion automjete.
Në këtë kuadër, ministrja bëri edhe shpalljen zyrtare të tarifës për kalimin në tunelin e Llogorasë: 250 lekë me TVSH për automjetet e vogla, ndërsa për mjetet e rënda do të aplikohet një skemë çmimesh të posaçme.
Balluku theksoi se përmirësimi i menaxhimit të trafikut është një tjetër prioritet. Ajo informoi se Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut është tashmë funksionale dhe do të mbështetet nga një rrjet kamerash me rezolucion të lartë përgjatë autostradave kryesore, duke rritur sigurinë dhe kontrollin në rrugë.
Ndër projektet kryesore infrastrukturore që përmendi janë: përfundimi i plotë i segmentit Qukës–Qafë Plloçë, nisja e bypass-it 3 km në hyrje të Tiranës drejt Elbasanit për lehtësimin e trafikut, si dhe përparimi i projekteve në Korridorin VIII, Tiranë-Durrës dhe Milot-Balldren.
Në sektorin e aviacionit, Balluku prezantoi shifra rekord për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku vetëm më 11 gusht u regjistruan mbi 53 mijë pasagjerë në një ditë, duke tejkaluar pritshmëritë. Ajo njoftoi gjithashtu se Aeroporti i Vlorës do të bëhet një nga investimet më strategjike, ku vetëm kompania Wizz Air ka parashikuar 12 destinacione të reja që sjellin rreth 586 mijë pasagjerë në vitin e parë të operimit.
Në fjalën e saj, ministrja ndaloi edhe tek sektori i energjisë, ku pavarësisht vitit të thatësirës, furnizimi me energji ka qenë i pandërprerë, ndërsa OSHEE ka ulur humbjet teknike nën 17%. Duke folur për reformat e reja, ajo theksoi se edhe sektori i ujësjellës-kanalizimeve po kalon në një model të ngjashëm me atë të energjisë, për të garantuar standarde të BE-së në shërbimet ndaj qytetarëve dhe vizitorëve.