Modelja dhe nënë e tre fëmijëve, Emina Çunmulaj, ishte e ftuar në podcastin “Mam” me Orinda Hutën dhe zbuloi për herë të parë se fëmija i saj i tretë, Shá, është rezultat i një procedure IVF dhe se e ka zgjedhur vetë gjininë e tij.

“Shtatzënia e tretë është një shtatzëni jo normale. Që do të thotë se djalin e tretë e kemi bërë mes IVF. Nuk është normale sepse unë falë natyrës nuk kam pasur problem të ngel shtatzënë, por meqenëse e ndieja në vete që edhe i treti kishte për të qenë vajzë, edhe i katërti, i thashë burrit tim ‘a të provojmë të bëjmë IVF’?” rrëfeu Emina. Ajo tregoi edhe për dyshimet që pati bashkëshorti i saj në fillim dhe lidhjen me besimin e saj:

“Në Amerikë ti ke të drejtë të zgjedhësh gjininë dhe burri disi ishte dyshues në fillim. Unë jam besuese në Zot. M’i ka dhënë dy fëmijë të shëndetshëm dhe s’doja të luaja me diçka që është kundër natyrës. Por unë dhe ai [burri] donim djalë. ‘Një herë kemi për ta provuar IVF,’ thamë ‘nëse Zoti do të kemi djalë, nëse s’del s’do e provojmë më.’ Dhe deshi Zoti të ishte djalë. IVF për mua ka qenë shumë e vështirë.”
IVF (In Vitro Fertilization) ose Fertilizimi In Vitro është një metodë e riprodhimit të asistuar ku vezët dhe spermatozoidet bashkohen jashtë trupit të gruas, në laborator dhe më pas embrioni i krijuar transferohet në mitër për të zhvilluar shtatzëninë. Modelja përshkroi edhe vështirësitë gjatë procesit:

“Isha shumë nervoze, agresive ndaj burrit. Nga 5 embrione ishin 3 vajza, 2 djem dhe vetëm 1 ishte i shëndetshëm, që është djali jonë, Shá.”
Emina Çunmulaj është gjithashtu nënë e dy vajzave, Ella Faria dhe Mia Soraya është e martuar me biznesmenin me origjinë iraniano-amerikane, Sam Nazarian./ E.K