Deklarata e fundit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë që njofton se kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën është një kambanë e rrezikshme alarmi për qytetarët dhe ekzistencën territoriale të shtetit më të ri dhe më të brishtë të Ballkanit. Mesazhi është i qartë dhe thekson se veprimet e qeverisë Kurti kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, gjë që e bën të vështirë për SHBA-të të punojnë në mënyrë produktive mbi prioritetet e përbashkëta me Prishtinën.

Në deklaratë theksohej se marrëdhënia mes SHBA-ve dhe Kosovës ka qenë gjithmonë e ndërtuar mbi forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin ekonomik, mirëpo veprimet dhe deklaratat e Kryeministrit në detyrë kanë vënë në pikëpyetje progresin e arritur ndër vite.

Pikëeisht problemi qëndron te qasja thellësisht egoiste që Kurti ka ndërtuar, duke krijuar përplasje të vazhdueshme të panevojshme me partnerin strategjik dhe më të rëndësishëm të vendit, falë të cilit ekziston vetë shteti i Kosovës.

Pezullimi nuk është vetëm një masë proceduriale, por ai godet thelbësisht të ardhmen e Kosovës, sepse Dialogu Strategjik ishte konceptuar si mjet për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në të mirën e dy popujve.

Nëpërmjet deklaratës së sotme, mesazhi ishte i qartë se këto përpjekje mund të rifillojnë vetëm kur të krijohen kushtet e duhura, duke lënë të kuptohet se barra bie mbi udhëheqjen e Prishtinës dhe veçanërisht Albin Kurtin për të ndryshuar qasje. Kosova nuk ka luksin të hyjë në kurs përplasjeje me SHBA-të.

Është një shtet i brishtë, me integritet territorial të kërcënuar në çdo kohë nga Serbia dhe i mbështetur ndërkombëtarisht pikërisht për shkak të mbrojtjes amerikane, prandaj çdo prishje e kësaj marrëdhënieje është një hap drejt izolimit dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për vetë ekzistencën e saj./Tema