Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktori dhe regjisorit Enver Petrovci. Me anë të një postimi në Facebook, Kurti shkruan se sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të përcillet brez pas brezi. Kurti u shpreh gjithashtu se ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh.
Postimi i plotë
Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut tonë Enver Petrovci. Kujtesa energjike dhe qartësia e mendimit e bënin të veçantë: në çdo takim përçonte frymëzim me liri shprehjeje, kurse me vështrime lucide e humor vitruoz ndriçonte çdo bisedë.
Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane.
Sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet tona dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi. Ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve.