Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim për disa vepra penale është ekstraduar nga Punta Cana, Republika Domenikane në Shqipëri.
Policia njoftoi sot se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të këtij shtetasi. Shtetasi S. P., në përfundim të procedurave, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, njoftoi policia.
Policia e Shtetit falënderoi autoritetet e Republikës Domenikane dhe autoritetet gjermane për bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 41-vjeçarit në Shqipëri.