Tiranë, 3 Shtator 2025 – Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua sot ceremonia e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Shoqërisë “Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1” Sh.A., z. Olsi Shahini.

Kjo marrëveshje vjen në prag të fillimit të vitit të ri akademik dhe ka për qëllim sigurimin e kushteve optimale të akomodimit për studentët e Akademisë së Sigurisë, në ambientet e Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1, në përputhje me standardet europiane të jetesës studentore.

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, Akademia e Sigurisë do të mbulojë tarifën mujore të akomodimit për studentët, duke lehtësuar ndjeshëm barrën ekonomike dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda vlerësoi marrëveshjen si një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për studentët e Akademisë së Sigurisë, duke theksuar se:

“Ky bashkëpunim përbën një mbështetje të rëndësishme për të rinjtë që janë në rrugëtimin e tyre për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Investimi në mirëqenien e tyre është investim në të ardhmen e sigurisë publike.”

Nga ana e tij, z. Olsi Shahini falënderoi Policinë e Shtetit për besimin dhe theksoi përkushtimin e Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1 për të ofruar ambiente bashkëkohore dhe të përshtatshme për nevojat e studentëve të Akademisë së Sigurisë.