Novak Djokovic i ka regjistruar fëmijët e tij në një shkollë private britanike në Athinë, ndërsa familja e tij po shkon drejt një jete të re në Greqi, mes raportimeve se ai është vënë në shënjestër nga qeveria serbe për mbështetjen e protestave studentore.

24 herë kampioni i ‘Grand Slam’, i konsideruar prej kohësh si hero kombëtar në Serbi, është përballur me kritika të ashpra në muajt e fundit nga mediat besnike pranë presidentit Aleksandar Vuçiç, pasi tregoi solidaritet me demonstruesit.

Protestat në Serbi shpërthyen dhjetorin e kaluar pas shembjes së tendës së një stacioni hekurudhor në Novi Sad, e cila vrau 16 persona, me studentët që fajësuan korrupsionin e dyshuar dhe kërkuan ndryshime politike.

Djokovic postoi mbështetjen e tij në rrjetet sociale, duke shkruar: “Si dikush që beson thellësisht në fuqinë e të rinjve dhe dëshirën e tyre për një të ardhme më të mirë, besoj se është e rëndësishme që zërat e tyre të dëgjohen. Serbia ka potencial të jashtëzakonshëm dhe rinia e saj e arsimuar është forca e saj më e madhe.”

Më vonë ai ia kushtoi një fitore në ‘Australian Open’ një studenti të lënduar gjatë demonstratave, ndoqi një ndeshje basketbolli në Beograd i veshur me një bluzë ku shkruhej “studentët janë kampionë” dhe ndau imazhe të tubimeve masive me mbishkrimin “Historike, e mrekullueshme”.

Mediat serbe pranë Vucic iu përgjigjën duke e quajtur atë një “patriot të rremë” dhe duke e akuzuar se mbështeti një të ashtuquajtur “revolucion me ngjyra”.

Sipas ‘Tennis24’, ai ka regjistruar djalin Stefan (11 vjeç) dhe vajzën Tara (8 vjeçe) në “Saint Lawrence College” të Athinës dhe ka blerë shtëpi në jug të qytetit. Ai po mendon edhe për një “Golden Visa”, teksa është takuar dy herë me kryeministrin grek Mitsotakis.