Dy shtetas shqiptarë, Bashkim Sulkaj, 66 vjeç, nga Fieri dhe banues në Tiranë, dhe Astrit Delilaj, 67 vjeç, janë arrestuar nga autoritetet greke si pjesë e një rrjeti të gjerë kriminal që merrej me kontrabandën dhe manipulimin e karburanteve në disa vende të Ballkanit.
Hetimet, të cilat janë shtrirë në të gjithë territorin e Greqisë, kanë përfshirë bashkëpunim të ngushtë me institucionet ligjzbatuese shqiptare, për shkak të lidhjeve të forta të rrjetit me Shqipërinë.
Sipas raportimeve, Bashkim Sulkaj është një emër i njohur në industrinë e karburanteve, me biznese aktive në Tiranë dhe Maliq, por edhe me lidhje të dokumentuara në qytetin e Selanikut. Dosja hetimore e autoriteteve greke e përshkruan atë si një nga drejtuesit kryesorë të një organizate kriminale të krijuar nga shtetasi grek Thomas Stefanakos në fillim të vitit 2025. Struktura e rrjetit përfshinte bashkëpunëtorë në Shqipëri, Bullgari dhe Poloni.
Organizata dyshohet se ka fituar mbi 3 milionë euro përmes trafikimit të karburantit të manipuluar dhe shmangies së sistemit të matjes në depozitat doganore. Një ndër rrugët kryesore të trafikimit ishte dogana e Kapshticës, që u përdor për të kaluar karburant nën mbulesën e dokumenteve të rreme.
Dokumentet zyrtare zbulojnë 38 episode të furnizimit të organizuar me benzinë pa plumb që nga janari 2025, me një sasi totale prej mbi 1.3 milionë litrash. Vetëm në datën 2 shtator 2025, janë evidentuar pesë deklarata eksporti aktive me një total prej afro 177 mijë litrash karburant, të importuar nga kompani rumune dhe bullgare, por që nuk rezultojnë në inventarët doganorë.
Transporti i këtij karburanti dyshohet se është realizuar me autocisterna që i përkisnin një kompanie greke në pronësi të Sulkaj, si dhe një kompanie shqiptare me lidhje të drejtpërdrejta me të. Këto mjete kalonin nga Greqia drejt Shqipërisë, duke deklaruar në mënyrë fiktive produkte të tjera industriale, jo-subjekt të akcizës, për të shmangur kontrollet dhe detyrimet fiskale.
Përmes falsifikimit të dokumenteve doganore, janë përdorur emrat e kompanive nga Italia, Bullgaria dhe Rumania, por karburanti në fakt ka përfunduar në tregun shqiptar. Në skemë është përfshirë edhe një kompani me emrin “JAMB SH.A.”, e dyshuar si përfituese e drejtpërdrejtë e ngarkesave të karburantit kontrabandë.
Autoritetet greke kanë ngritur akuza të rënda për mashtrim doganor, falsifikim të dokumentacionit të tregtisë ndërkombëtare dhe krijim të një organizate kriminale me degëzim rajonal. Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me agjencitë shqiptare, ndërsa pritet që lista e personave të përfshirë të zgjerohet në ditët në vijim.