Policia ka finalizuar një tjetër operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike. Operacioni i koduar “The Bag” është zhvilluar nga Komisariati Nr. 5 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Në pranga kanë rënë dy shtetas, Elson Çali 18 vjeç dhe Ardian Nika, 26 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në fshatin Zall Mner, teksa transportonin një çantë me rreth 675 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, me destinacion kryeqytetin, ku dyshohet se do të shpërndahej në doza.

Lënda narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj të arrestuarve kanë nisur hetimet për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.