Presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky e ka refuzuar ftesën e homologut të Rusisë, Vladimir Putin për negociata në Moskë dhe në vend të kësaj ka propozuar që udhëheqësi rus të vijë në Kiev.
Qëndrimin e tij e shpjegoi në një intervistë për ABC News, ku ka folur rreth luftës me shtetin rus.
“Putini mund të vijë në Kiev… Nuk mund të shkoj në Moskë ndërsa vendi im sulmohet çdo ditë nga Rusia. Nuk mund të shkoj në kryeqytetin e këtij terroristi. Edhe Putini e kupton këtë”, deklaroi ai.
Zelensky theksoi se propozimin e Putinit e sheh si një mënyrë për të shtyrë një takim të vërtetë.
“Nëse dikush nuk dëshiron të takohet gjatë kohës së luftës, natyrisht që mund të propozojë diçka që për mua apo për të tjerët është e papranueshme”, pohoi lideri ukrainas.
Kujtojmë se Putini e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të udhëtojë askund për të biseduar me Zelenskyn, por është i hapur për një takim në Moskë.