Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve këtë të hënë, Gazment Bardhi Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike i kërkoi kryesisë së Kuvendit që të thërrasë Këshillin e Legjislacionit për të diskutuar kërkesën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.
Bardhi theksoi se thirrja e Këshillit është një detyrim ligjor që duhet respektuar dhe ngriti edhe dy çështje të tjera që sipas tij janë të pazgjidhura.
Së pari, kërkesa për ripërsëritjen e seancës së 12 shtatorit, e cila sipas PD-së është kaluar pa debat, duke shkelur Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, dhe kërkoi që kjo të përfshihet në rendin e ditës.
Së dyti, partia dorëzoi një kërkesë për mocion me debat mbi programin e qeverisë për 4 vitet e ardhshme, e cila sipas rregullores duhet të ishte përfshirë në këtë mbledhje, por deri tani nuk ka asnjë njoftim për mbledhje të re.
PD paralajmëron se do vijojë të kërkojë respektimin e rregullores dhe funksionimin normal të institucioneve.