Nga Jakin Marena
Partia Demokratike mezi kishte pritur që të largohej Erion Veliaj nga drejtimi i bashkisë së Tiranës, pasi për këtë arsye kishte organizuar dhjetra protesta përballë godinës së bashkisë!
Pikërisht në momentin kur i erdhi në ‘dorë’ një shans i tillë, theksojmë jo për shkak të protestave opozitare, por për shkak të urdhërit të SPAK për ta arrestuar Veliajn nën akuzat për korrupsion e ku prej 7 muajsh qëndron në paraburgim çka solli dhe vendimin politik të PS për ta shkarkuar e për t’i dhënë Tiranës një drejtues për ta qeverisur, demokratët u zunë gafil dhe të papërgatitur!
Teksa kreu i mazhorancës Edi Rama ka prezantuar kandidaten për kryetare bashkie në Tiranë, Ogerta Manastirliun, si dhe ka nisur ngritjen e makinerisë elektorale në kryeqytet duke caktuar sipas të gjitha gjasave madje dhe drejtuesen e fushatës, numrin dy të qeverisë Belinda Balluku, në pritje të shpalljes së datës së zgjedhjeve të parakohëshme në kryeqytet, PD dhe kreu i saj Sali Berisha ende nuk kanë asnjë ide se kush do të jetë kandidati i PD për Tiranën!
“Shpresa” që ishte mbajtur në përzgjedhjen e kandidatit për të qënë përballë Manastirliut, mes dy më të votuarve të PD në zgjedhjet parlamentare më 11 maj në qarkun e Tiranës, përkatësisht Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit, është shuar njëherë e mire që në krye të herës, pasi në mënyrë galante të dy këta kandidatë hipotetikë të opozitës, e refuzuan kandidimin për Tiranën!
Deputetja e vetme në Tiranë e PD që hyri nga listat e hapura, Tabaku deklaroi se kishte marrë një mandat të fortë për të përfaqësuar qytetarët e Tiranës në Parlamentin e Shqipërisë, dhe me pak fjalë, nuk e shihte projektin e kandidimit për kryetare bashkie në Tiranë, si të duhurin për të në këto momente. Pra në fund të herës refuzoi, pavarësisht se njerëz afër Berishës e kishin hedhur si emër në treguan mediatik, si ‘test’ për të parë nëse ishte e gatshme të dorëzonte vullnetarisht mandatin e deputetit për të humbur përballë Manastirliut në Tiranë!
Në të njejtën gjatësi vale ishte edhe Alimehmeti, i cili për pak vota mbeti pa hyrë në Kuvend, ndonëse mori maksimumin e mundshëm nga mbështetja e votuesve demokratë në Tiranë, i cili deklaroi se kishte në mendje dhe po punonte për një projekt të madh e katër vjeçar për bashkinë e Tiranës, duke mos qënë aspak i interesuar për një projekt për një gjysmë mandati tani! Pra nuk garon përballë Manastirliut, ishte fjala! Refuzim dhe nga Alimehmeti!
Ndërkohë që figura të tjera në PD, duke filluar nga Paloka, Noka dhe Vokshi, me stil kanë refuzuar garën për bashkinë e Tiranës, përballë Manastirliut, nën argumentin se duhet një figurë që mund të bashkonte të gjitha palët në opozitë, që të kishte konsensusin e të gjithë partive të opozitës! Me përjashtim të Palokës, që nuk e mohoi faktin se nëse e propozojnë do ta marrë këtë përgjegjësi! Ndërkohë që është dhe deputeti Klevis Balliu ai që u zotua se, nëse ia caktonin një detyrë të tillë për të kandiduar në Tiranë ai do ta pranonte, deklaratë kjo me sa duket në kushtet kur ai është thellësisht i sigurtë që nuk e kandidon njeri në kryeqytet! Me gjasë të gjithë presin me zemër të ngrirë se kujt do t’ia vërë gishtin Berisha për të kandiduar në këtë garë të humbur në kryeqytet, në zgjedhjet e parakohëshme që do të zhvillohen, për shkak të shkarkimit të Veliajt!
Praktikisht të gjithë deputetëve dhe figurave më të larta të PD, kur u bëhet pyetja nëse do të kandidojnë përballë Manastirliut për kreun e bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e parakohëshme, menjëherë u ikën ‘gjuha mbrapsht’ dhe fshihen pas deklaratave se ‘vendosin strukturat dhe forumet drejtuese të partisë për kandidatin e ri’, ose se ‘duhet konsultë me aleatët e PD për të zgjedhur një figurë përbashkuese’!
Pra të gjithë në PD presin me zemër të ngrirë derisa të zgjidhet një kandidat! I cili sipas të gjitha gjasave do të jetë dikush që do të garantojë një humbje të thellë, pasi jo vetëm që PD është copë copë dhe s’ke ku ta kapësh, por të gjithë janë të interesuar se rezultati në këto zgjedhje para kohe të dalë poshte numrave të Belind Këlliçit që garoi përballë Erion Veliajt para dy vitesh!
Ndërkohë që vërdallë kanë nisur të lakohen emra kandidatësh jashtë lidershipit të PD, duke filluar nga një ish drejtoreshë e burgut të grave në kohën e qeverisjes së PS, e deri tek ndonjë biznesmen rrobaash dhe mjetesh të tjera të përdorura ushtarake! Janë të vetëofruara këto kandidatura e pritet që ndoshta ndonjëri dhe të ‘ngecë’ në rrjetën e PD, ngecje nga halli i refuzimit të të gjithë të tjerëve! Pa përjashtuar dhe ndonjë kandidate serioze që qarkullon në media, bashkëshortja e një ish deputeti të ndjerë të PD, por që është një kandidaturë që po kundërshtohet fort nga grupet brenda demokratëve! Duke pasur pak gjasa të kandidojë!
Praktikisht PD është në hall të madh! Nuk po gjen dot asnjë kandidat për kryetar bashkie në kryeqytet, pavarësisht se kishte dy vite me radhë që kërkonte me ngulm largimin e Veliajt nga posti! I cili u largua jo për shkak të akuzave dhe presionit që i bënte PD por për një akuzë krejt tjetër, dhe jo për shkak se e kërkoi PD, por sepse e shkarkoi PS me një vendim politik për të mos e lënë bashkinë e kryeqytetit pa kryetar! Pasi ka 7 muaj me radhë që kryebashkiaku Veliaj është në paraburgim, ndërkohë që nuk dihet se sa do të vijojë derisa të zyrtarizohet akuza dhe dosja të shkojë në gjykatë. Apo derisa të gjykohet e të jepet vendimi, që mund të shkojë shumë kohë!
Dhe halli i PD është me të vërtetë i madh, pasi po zbardhet në sytë e demokratëve dhe të publikut se në çfarë derenxheje ka rënë kjo parti! Ka marrë fund me një fjalë, ka falimentuar, përderisa s’pranon askush të garojë në Tiranë, për t’u përballur me kandidaten e mazhorancës e për të treguar se ka nisur ringritja e PD-së së paku, jo për të fituar të kuptohemi! Gjithçka fillon por dhe mbaron në Tiranë, jo vetëm ringritja e opozitës, por dhe fundi i saj!
Dhe për shkak të refuzimit të kandidimit për kryetar bashkie në Tiranë i figurave kryesore të PD, situata në këtë parti është jo vetëm tragjike, por dita ditës po merr dhe trajta të forta komike! Krijimi i kësaj ‘hapësire’ në PD për të garuar për kreun e bashkisë së Tiranës, për shkak se asnjë figurë e kësaj partie nuk e merr përsipër garën, ka ngritur dhe ‘sentimentin’ e shumë personave rrotull PD, jo domosdoshmërisht përfaqësues të kësaj partie por të deklaruar aleatë të Berishës, të cilët vetëofrohen si kandidatë ‘potencialë’ në garë! Madje duke shfrytëzuar dhe disa ‘dobësi’ të Berishës, teksa i lënë për të kuptuar se mund t’i heqin sanksionimin nga SHBA, dhe ta lënë të lirë të lëvizë në tërë botën pa asnjë pengesë! Vënë dhe afate mujore madje për rezultate të tilla!
Një ndër ta është dhe kreu i Partisë Konservatore Kujtim Gjuzi, i cili në zgjedhjet e fundit të 11 majit të këtij viti ka qënë ndër ‘lojtarët’ aleatë të PD më të preferuar nga ana e Berishës, pavarësisht rezultatit që mori në ato zgjedhje. Me sa duket Gjuzi është munduar t’ia kthejë në të njejtën ‘monedhë’ Berishës mbështetjen dhe promovimin në fushatën zgjedhore! Madje Gjuzi ka dhënë një garanci maksimale për Berishën, në këmbim të mbështetjes së kandidaturës së tij të vetëofruar në emër të opozitës, për të qënë përballë Manastirliut në garën për bashkinë e Tiranës, ka dhënë garanci heqjen e ‘non gratës’!
“Ta nxjerrë Berisha nesër emrin tim në konferencë shtypi. Nuk duhen as 33 ditë që të zgjidhet puna e non gratës. Non grata ka qenë për t’u hequr. Tani ata thonë në telefon. Ka qenë në zyrën e Flamur Nokës dhe u bë projekti. Unë nuk e di po Flamur Noka ia ka çuar Berishës, po unë luaj me lojtarë rezervë. Unë kam mesazhin këtu që është super por që nuk e nxjerr këtu, por do ta tregoj poshtë, që thotë ai që është kandidat për të ardhur këtu ambasador. Unë e pyes ku jemi me ambasadorin amerikan në Shqipëri, ai thotë akoma. Ama titullin e ka marrë, se ka qenë te ajo festa e madhe e ambasadorëve”, ka deklaruar Gjuzi publikisht, në një emison televiziv.
Teksa është vetëofruar si kandidat për garën në Tiranë përballë Manastirliut, Gjuzi ka prekur pikërisht pikën më të ndjeshme të Berishës, dëshirën e tij për heqjen e “non gratas’ në SHBA! Kur tjetri është në hall, t’i afrosh dhe fijen e barit për t’u kapur e për të shpëtuar, ai e kap menjëherë! Me këtë sentencë i vetëofrohet Berishës dhe Kujtim Gjuzi, si kandidat për kryetar bashkie në emër të opozitës në Tiranë, duke i premtuar se në këmbim i heq ‘non gratën’ në SHBA. Pavarësisht se vetë Berisha, megjithëse ka paguar miliona dollarë lobime në SHBA, jo vetëm që nuk ka hequr non gratën por s’ka siguruar asnjë vizë të thjeshtë për të kapërcyer Atlantikun!
Nuk dimë nëse Berisha do ta kapë ‘karremin’ e Gjuzit për ta emëruar si kandidat të opozitës për kryetar bashkie në Tiranë përballë Manastirliut! Gjasat janë afër zeros për këtë qëllim, sepse Berisha është në hall të madh, por është skile e vjetër e politikës dhe nuk është budalla! Por ajo që shohim jo pa dhimbje ëhstë fakti se PD dhe Berisha janë kaq në hall dhe të katandisur aq keq e në rënie të lirë, sa kanë lënë hapësira që dhe Kujtim Gjuzi të tallet me PD dhe me vetë Berishën! Dhe kjo duket me sy të lirë. Na vjen keq, sepse Berishën për 13 vite e kemi pasur president, kryeministër dhe për 35 vite ka qënë kreu i një prej dy partive më të mëdha në Shqipëri, partisë së parë opozitare, PD, që i kanë dhënë tonin politikës! Na ‘dhemb’ dhe neve një tallje e tillë me të, thjeshtë e vetëm se PD është në rënie të lirë dhe vetë Berisha, në hall!