Kreu i Kuvendit Niko Peleshi, ka thirrur në një takim krerët e grupeve parlamentare, me qëllim që të plotësohen karriget bosh të anëtarëve të 11 komisioneve të përhershme, në mënyrë që ato të nisin punën.

Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht thirrjen e Konferencës së Kryetarëve nesër në orën 11:00 me rendin e ditës “Miratimin e listës së anëtarëve dhe anëtarëve zëvendësues të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.

Kjo lëvizje pritet të rikthejë debatet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. PD i ka caktuar drejtuesit e 4 komisioneve parlamentare që i takojnë asaj dhe nënkryetarët e atyre që drejtohen nga mazhoranca, por këto emra nuk janë votuar pasi selia blu nuk i dërgoi zyrtarisht në Kuvend.

Vetëm emrat e kryetarëve dhe zv/kryetarëve të komisioneve nga radhët e socialistëve janë tashmë të miratuara.

Të hënën pritet që PD të parashtrojë në Konferencën e Kryetarëve edhe kërkesën për anulimin e seancës së votimit pa debat të qeverisë, edhe mocionin për shkarkimin e Niko Peleshit.