Mero Baze/
Ogerta Manastirliu e përzgjedhur nga Rama për detyrën e kryetares, i ka bërë atij vetëm një kërkesë që Belinda Balluku do të jetë udhëheqësja e fushatës elektorale për Bashkinë e Tiranës. Këtë e konfirmoi kryeministri ndërsa mblodhi grupin e punës per Tiranën.
Duke i lënë përsipër udhëheqjen e fushatës Belinda Ballukut, që është de facto kryeministre e vendit, Manastirliu ka zgjidhur një sërë problemesh të fushatës me një të rënë të lapsit.
Së pari, ka shmangur humbjen e energjive për të aktivizuar nga pikëpamja elektorale njerëzit që kanë bërë fushatën elektorale të Veliajt për tre mandate, pra 10 vitet e fundit. Vetë Manastirliu do ta kishte këtë një proces me shumë probleme rrugës, dhe ndoshta me qejfmbetje dhe humbje energjie që do t’ia vështirësonin fushatën. Me Ballukun ky problem thjeshtohet. Ajo ka mundësinë të krijojë një strukturë të re elektorale në Tiranë, duke i përjashtuar njerëzit e Veliajt në terren dhe duke reformuar me këtë rast edhe strukturën elektorale të PS në Tiranë.
Së dyti, Balluku i zgjidh Manastirliut kontaktet me grupet e interesit dhe besimin tek vazhdimësia që ata duhet të kenë tek kryetarja e re. Duke qenë ajo udhëheqësja e fushatës, ky problem është i zgjidhur. Bizneset e mëdha të ndërtimit dhe gjithë rrethi i interesave të mëdha për Tiranën, që duan garanci politike, kanë tani një adresë të qartë ku do të duhet të trokasin për të marrë garanci për vazhdimësinë dhe për garancitë politike. Në këtë rast ata thjesht transferojnë besimin nga Veliaj tek Balluku si kryeministre de facto e vendit. Dhe ky është një problem i madh i zgjidhur për fushatën elektorale në kryeqytet. Duke qenë njeriu më i fuqishëm i qeverisë, ajo është dhe një kombinuese më e mirë interesash mes qeverisë dhe bashkisë dhe një garant për grupet e interesit.
Së fundmi, Balluku është edhe një lehtësi politike për rezultatin elektoral të Manastirliut. Nuk po flasim për fitoren, se ajo nuk është e rrezikuar, por për rezultatin elektoral që duhet të ruajë së paku rezultatin elektoral të zgjedhjeve të 2025.
Balluku ka mundësinë të vërë në lëvizje gjithë deputetët dhe ministrat që janë në Tiranë për të mbrojtur rezultatin e tyre. Dhe kjo është ndoshta më e afta për ta bërë këtë gjë.
I vetmi problem që mund të krijonte Balluku si “udhëheqëse e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë”, është shtresa gri e elektoratit në Tiranë. Ajo mund të rritet për shkak të super pushtetit që ajo demonstron.
Ky fenomen do të ishte i rrezikshëm, nëse opozita do të gjente dikë që nuk identifikohej me Berishën dhe merrte elektoratin gri të kryeqytetit plus mbështetjen e opozitës. Por duke qenë se shumë emra në dukje të afërt me Berishën, janë më shumë ushtarë të Ballukut sesa të tij, suksesi i saj është dyfish, pasi ajo ka mundësi të caktojë edhe kandidatin e opozitës.
Kështu që Manastirliu ka për të pasur më pak emocione kur të shpallet fituese e padiskutueshme e zgjedhjeve, se sa pati kur u shpall kandidate e papritur në Asamble.