Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025-2026, Policia e Shtetit ka hartuar dhe ka nisur zbatimin e një plani të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjitha institucionet arsimore publike dhe jopublike të vendit.
Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Drejtues Agron Çeli, bëri të ditur se masat janë ndërmarrë në zbatim të një urdhri të posaçëm të nxjerrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në përputhje me ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe Paketën për Sigurinë në Shkolla.
Sipas Çelit, plani parashikon angazhimin e të gjitha strukturave të policisë në nivel qendror dhe vendor, në bashkëpunim të ngushtë me Policitë Bashkiake, oficerët e sigurisë në shkolla, drejtuesit e institucioneve arsimore, bordet e prindërve dhe aktorë të tjerë të përfshirë në sistemin arsimor.
Që në ditën e parë të shkollës, më 8 shtator, por edhe përgjatë gjithë vitit shkollor, pritet një prani e shtuar e forcave të rendit në mjediset përreth shkollave. Komisariatet dhe stacionet e policisë do të angazhojnë punonjësit e territorit, Policinë në Komunitet, Patrullën e Përgjithshme, Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Policinë Kriminale, për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe për të parandaluar çdo fenomen që cenon sigurinë e nxënësve dhe stafit mësimor.
Një fokus i veçantë do t’i kushtohet sigurisë rrugore. Policia Rrugore do të monitorojë akset pranë shkollave, sidomos ato të vendosura pranë rrugëve kryesore. Do të kryhen kontrolle rigoroze për drejtuesit e mjeteve që transportojnë nxënës, përfshirë testet për alkool dhe kontrollin teknik të automjeteve. Po ashtu, do të vendoset sinjalistikë përkatëse për të disiplinuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Në bashkëpunim me AKU-në, Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor dhe pushtetin vendor, do të ndërmerren masa për mbylljen apo largimin e pikave të tregtisë që shesin pije alkoolike ose produkte ushqimore të skaduara pranë shkollave, të cilat shpeshherë janë burim konfliktesh apo veprimtarish të paligjshme.
Po ashtu, oficerët e Policimit në Komunitet dhe ndihmësit në zonë do të jenë në kontakt të përditshëm me drejtuesit e shkollave dhe oficerët e sigurisë, për të monitoruar çdo informacion të mundshëm mbi fenomene si bullizmi, dhuna, mbajtja e sendeve të kundërligjshme apo veprimtari të tjera që mund të ndikojnë në sigurinë e nxënësve. Kontrollet në hyrjet e shkollave do të kryhen në bashkëpunim me rojet e sigurisë dhe stafin mësimor.
Strukturat e Policisë Kriminale, nga ana tjetër, do të intensifikojnë punën për parandalimin e çdo ngjarjeje të mundshme kriminale që lidhet me ambientet shkollore. Këto struktura do të grumbullojnë informacion dhe do të veprojnë me qëllim identifikimin dhe ndalimin e individëve që paraqesin rrezik për nxënësit apo stafin.
Policia ka paralajmëruar gjithashtu se do të ndëshkohen çdo tentativë për njoftime të rreme apo telefonata që shkaktojnë panik, duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit.
Në kuadër të bashkëpunimit me institucionet arsimore dhe organizatat që merren me edukimin, do të zhvillohen aktivitete të përbashkëta në shkolla dhe ambiente të Policisë, për të rritur ndërgjegjësimin mbi sigurinë, rreziqet nga droga, armët, dhuna dhe krimet kibernetike. Gjithashtu, në kuadër të programit të SCPA për reduktimin e përdorimit të drogave, alkoolit dhe duhanit, specialistët e Policimit në Komunitet do të vijojnë të zhvillojnë orë mësimore edukative në shkollat 9-vjeçare.
Policia ka paralajmëruar se do të zhvillojë analiza të rregullta për të vlerësuar masat dhe për të adresuar çdo problem që mund të paraqitet, në bashkëpunim të ngushtë me drejtuesit e shkollave dhe pushtetin vendor.
Në fund të deklaratës, Drejtues Çeli u bëri thirrje qytetarëve dhe prindërve që të raportojnë menjëherë çdo shqetësim apo dyshim në numrin pa pagesë 112, për të parandaluar çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë e fëmijëve.
“Policia e Shtetit garanton një angazhim maksimal për të siguruar një vit shkollor të qetë dhe të sigurt për të gjithë nxënësit dhe stafet mësimore. Mos ngurroni të bashkëpunoni me punonjësit tanë për çdo shqetësim që keni,” – përfundoi ai.