Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka paraqitur këtë të martë projektin për ndërtimin e Operatorit Kombëtar të Ujit.

“Ju sjell shembullin e Vlorës. E nisi sezonin me një situatë të papranueshme të alarmit të zonave të tëra për furnizimin me ujë, nuk është se u bëmë ndonjë investim ato ditë, por thjesht dhe vetëm komandimi me një mision të posaçëm nga Tirana dhe me vëmendje të posaçme nga Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës, administrimi solli një përmirësim të situatës dhe hoqi ankthin dhe ndjesinë e emergjencës, alarmin që s’kemi ujë. Raporti i bërë nga ai ekip për situatën e administrimit të ujësjellësit të Vlorës është i frikshëm. Nivel papërgjegjshmërie i frikshëm. Flasim për një nga pikat më të ngarkuara të turizmit. Borxhet e akumuluara, në vitin 2020 arritën në 13.6 mld lekë. Në 2021 ne ndërmorëm hapin e parë, dhe nga 58 ndërmarrje ne krijuam 15 shoqëri rajonale. Sot kemi rezultate domethënëse, të cilat na tregojnë një gjë, zgjidhja e kësaj sfide është bashkimi dhe jo ndarja. Decentralizimi nuk është fragmentim dhe shkatërrim por shërbim. Sot kemi 9 shoqëri rajonale nga 15 dhe nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE,” tha Rama.