Prezantimi i Platformës Startup Albania (startupalbania.gov.al) i zhvilluar sot në mjediset e Innovative Hub, tek Piramida u shoqërua nga një panel diskutimi mbi rolin e inovacionit si instrument politik, zhvillimin e strukturave shtetërore që mundësojnë bashkëkrijimin me sektorin privat, dhe ndikimin e Inteligjencës Artificiale në politikat e zhvillimit ekonomik dhe tranzicionin drejt një ekonomie të qëndrueshme.
Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj si dhe William P. Barnett, drejtues i Stanford Executive Program, iu përgjigjën interesimit të sipërmarrësve të rinj, lidhur me tema të edukimit dixhital, promovimit të startupeve, rolit që po ndërmerr çdo ditë e më shumë Inteligjenca Artificiale dhe impakti i saj në zhvillimin e vendit, etj.
Duke folur për Ministren e Shtetit të Inteligjencës Artificiale Diella, Kryeministri Rama shpjegoi se roli i saj nuk është vendimmarrës, ndërkohë që i është besuar përgjegjësia e procesimit të të dhënave, të cilën ajo e realizon në mënyrën më të shpejtë.
“Ministrja e Inteligjencës Artificiale nuk do të marrë vendime për ne. Ne do t’i marrim vendimet, pra ne nuk po i delegojmë asaj përgjegjësinë për të qeverisur apo përgjegjësinë për të marrë vendimet finale. Ne thjeshtë po i japim asaj përgjegjësinë të bëjë atë që ajo e bën më mirë se ne dhe ajo që bën më mirë se ne është të procesojë të dhënat në mënyrë shumë të shpejtë dhe të na japë përgjigje shumë të shpejta.” – u shpreh Kryeministri, teksa theksoi se Diella do të jetë edhe më e pranishme në vijim.
“Ne po e sjellim në takime qeveritare kemi prezent, e kemi në parlament, për momentin jo vizualisht të dukshme dhe shumë shpejt do të jetë në televizion, duke folur dhe me gazetarët. Do ketë kapacitete të avancuara. – tha Kryeministri Rama.