Ish-deputeti i PD-së, Myslim Murrizi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku u diskutua skandali i Bankers, u shpreh se PD është një opozitë selektive, prandaj nuk e denoncon këtë skandal. Murrizi përmendi edhe raste te disa koncesioneve që kanë marrë qindra milionë euro dhe nuk i denoncon ato.
“Unë kam folur edhe në Këshillin Kombëtar të PD-së, edhe në grupin parlamentar dhe kam thënë më mirë një opozitë e dobët se një opozitë selektive, sepse një të dobët mund ta mëshirojnë qytetarët, por një selektive e marrin inat.
Kam thënë për 4 komisionet hetimore të Ministrisë së Shëndetësisë. Për dy që kanë qenë objekt hetimi që drejtohej nga zonja Albana Vokshi, një ka qenë një dyqanxhi nga Berati që shiste qofte dhe ka marrë sterilizimin për 100 milionë euro dhe tjetri ai i Check Up-it i Vilma Nushit. Por dy koncesionet e tjera që ishin 130 dhe 110 milionë euro që janë laboratorët e Jani Karathanos dhe Dializa e Klodjan Allajbeut. I kam pyetur pse nuk flisni për Jani Karathanon që tallet me godinat e shtetit dhe laboratorët e shtetit dhe merr 130 milionë. Për dializën më shkruajnë qytetarët që duhet të vijnë dy herë në ditë për ta bërë. Sikur nuk flitet për Malin e Tiranës pas Pallatit të Kulturës. U dakordësuan. Këtu flitet sa nuk është ndarë gjëja. Në momentin që ndahet, opingat, këtu nuk flet më njeri” -tha Murrizi.