Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve të Europës, Elisa Spiropali në emisionin “Real Story” në ABC News tha se qëndrimi i Shqipërisë jo vetëm për çështjen e Gazës apo të Izraelit, por edhe për çështje të tjera në arenën ndërkombëtare ka qenë gjithmonë shumë i principtë.

Më tej Spiropali nënvizoi se Shqipëria është shumë e drejtpërdrejtë në raport me të gjithë partnerët sa i takon qëndrimeve të saj.

Sokol Balla: Me thënë të drejtën, unë mendoj se Enver Hoxha i ka bërë një favor shumë të madh qeverive që erdhën pas tij. Ka qenë ai që e njohu shtetin e Palestinës dhe nga ai moment çdo qeveri e pas 1991 ka mbajtur vetëm një qëndrim, abstenimin. Pra, pozicioni ynë është abstenimi, por mendoj së ky lloj pozicioni me faktorin e jashtëm na ka vënë herë pas here në siklet në raport me ato që ju I quani partner strategjikë, siç është psh Turqia. Që ka një qëndrim krejt tjetër.

Ministrja Elisa Spiropali: Secili shtet ka qëndrimet e tij dhe është e natyrshme të ketë qëndrime të ndryshme. Qëndrimi i Shqipërisë jo vetëm për çështjen e Gazës apo të Izraelit por edhe për çështje të tjera në arenën ndërkombëtare ka qenë gjithmonë shumë i principtë ka qenë i diskutuar edhe pse jo domosdoshmërisht i dakordësua me secilin nga partnerët. Secili vend ka të drejtën për të mbajtur qëndrimin e vet duke nisur nga historia, marrëdhënia me shtetet e ndryshme dhe vetë linjëzimi strategjik herë pas herë. Por qëndrimi jonë ka qenë gjithmonë i principtë dhe nuk është se ne mund të bëjmë më shumë në këtë situatë. Të mos pretendojmë se jemi një vend që mund të ndryshojë situatat në këto vende as mund të marrim përsipër të dalim përtej peshës sonë specifike si vend. Ajo që thuhet vijimësisht këtu në OKB në KS ku Shqipëria i ka dhënë shembujt e qëndrimeve të principta, por edhe në marrëdhëniet me partnerët tanë është që Shqipëria nuk del asnjëherë nga parashikimi dhe Shqipëria është shumë e drejtpërdrejtë në raport me të gjithë partnerët sa i takon qëndrimeve të saj. Sa i takon situatës aty padiskutim që ka një rëndesë të madhe edhe emocionale për të gjithë. Urojmë që Lindja e Mesme të gjejë më në fund një stabilitet mes palëve dhe urojmë që siguria të garantohet mbi të gjitha sepse ajo që ndodhi në territorin e Izraelit është i paimagjinueshëm dhe siç tha sot edhe Presidenti i SHBA pengjet duhet të kthehen menjëherë ashtu siç edhe lufta duhet të përfundojë.