Aksi Qukës- Qafë Plloçë, degëzim i rëndësishëm i Korridorit 8, u hap sot për qarkullimin e automjeteve, si një infrastrukturë moderne e bashkëkohore, e cila, jo vetëm lehtëson ndjeshëm qarkullimin drejt juglindjes, po edhe krijon mundësi zhvillimi për të gjithë zonën, duke nxitur më tej bujqësinë, turizmin e agroturizmin.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Zv/Kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe drejtues lokalë të zonës përshkuan në këmbë një pjesë të infrastrukturës së re, si dhe u takuan me banorë të fshatrave përreth, për të cilët rruga e sapoçelur është një zhvillim lehtësues pas kalvarit të gjatë të problematikave të saj.
Zëvendëskryeministrja Balluku shpjegoi se projekti fillestar është ndryshuar totalisht për t’u përshtatur me gjeologjinë sfiduese dhe kushtet atmosferike të zonës.
“Ndodhemi në segmentin Qukës- Qafë Pllocë, tashmë totalisht i përfunduar, një segment, i cili ka nisur me një projekt të vitit 2010-2011, një projekt që nëse flet me inxhinierët do të thonë: projekt i ftohtë dhe indiferent ndaj gjeologjisë së zonës, ndaj të gjitha kushteve atmosferike që kjo zonë ka dhe për më tepër ndaj të gjitha ndërlidhjeve që duheshin bërë me fshatrat e komunitetit të Malësisë së Mokrës. Më pas, ky projekt ka nisur nw 2015 dhe është dashur që ta rishikonim totalisht, pra është 100% i ndryshuar, duke respektuar siç thamë ndwrlidhjen midis pjesëve të banuara, por mbi të gjitha gjeologjisë që ka qenë shumë sfiduese gjatë gjithë periudhës së kantiereve.” – detajoi Zëvendëskryeministrja Balluku, ndërsa shtoi se rruga e re është lehtësim i madh edhe për qytetin e Pogradecit.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se më në fund u realizua një prej veprave më sfiduese, prej së cilës zona do të ketë një përfitim të madh.
“Është projekti më i gjatë, më i stërmundimshëm, më i ngatërruar për shkak se u nis mbrapsht. Edhe tani është gjë e madhe që mbaroi, edhe që edhe njerëzit e zonës, për të cilët është fitore e madhe, çlirim i madh, po edhe gjithë kjo zonë e Shqipërisë e ka në dispozicion edhe do të marrë gjithë përfitimet që sjell. Po është një çlirim shumë i madh. Dukej sikur s’do mbaronte kurrë.” – u shpreh Kryeministri teksa theksoi se rruga do t’i japë një hov të ri edhe agroturizmit.