Arben Rakipi, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, gjatë konsultimit publik për Kodin e ri Penal të enjten, në prani të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, u ndal me theks të veçantë te neni më i diskutuar i draftit shpifja.
Në fjalën e tij të plotë, Rakipi solli një sërë argumentesh juridike dhe politike për trajtimin e këtij neni, veçanërisht në raport me median dhe gazetarët.
Sipas Rakipit, përjashtimi i gazetarëve nga përgjegjësia penale për shpifjen është një qasje problematike në vetvete.
“Nëse ne i përjashtojmë gazetarët nga shpifja, më duket fyese dhe në një farë mënyre ne i licensojmë ata që të shpifin. Apo më keq akoma, paragjykon duke lënë të kuptohet që ata shpifin”, deklaroi ai.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës theksoi se misioni i gazetarit është i lidhur me të vërtetën dhe jo me shpifjen, ndaj dhe sipas tij, nuk është e nevojshme që gazetarët të përjashtohen në mënyrë të veçantë nga neni përkatës. Megjithatë, ai njohu shqetësimin që ekziston për të mbrojtur gazetarin nga penalizimi kur ka gabuar në mirëbesim, duke përmendur se grupi teknik e ka adresuar këtë:
“Ai i duhet një mbrojtje nga norma e gabimit logjik normal dhe ne e kemi përjashtuar.”
Rakipi theksoi se trajtimi i nenit për shpifjen është një çështje që tashmë ka kaluar nga teknike në politike.
“Shqipëria ka një premtim për të dekriminalizuar shpifjen, por grupi ynë i punës nuk ka pasur kontakte politike për të thithur këtë orientim dhe ka qëndruar në nivelin teknik. Më pas ky diskutim ka marrë dhenë”, tha ai.
Duke folur për pozicionin e tij, Rakipi shtoi:
“Unë personalisht pasi kemi folur, mendoj se kjo është një çështje politike dhe juridike dhe mbaj përgjegjësi për pjesën juridike që i mbështes. Si një nënpunës i këtij shteti, s’dua të krijoj probleme. Nëse kjo e bën Shqipërinë të përfitojë, le ta vendosë politika.”
Ai theksoi gjithashtu se nuk e konsideron shpifjen në Kodin Penal si një rrezik për vendin:
“Nuk mendoj se Shqipërisë i vjen e keqja nga shpifja në Kodin Penal.” Për të, më shumë rëndësi ka raporti midis fjalës dhe të vërtetës: “Respekti për fjalën është relativ, varet se sa respekt ka fjala për të vërtetën. Pikëpamja jonë duhet të zbutet dhe të vendoset në ekuilibër.”
Në përfundim, Rakipi rikujtoi se depenalizimi i shpifjes nuk është një standard ndërkombëtar i detyrueshëm:
“Kosova e ka depenalizuar, por kjo nuk është normë e imponuar ndërkombëtarisht. Çështja është të mos anashkalojmë elementet juridike.”