Kryeministri Edi Rama ia ka besuar ministrinë e Shëndetësisë profesoreshës Evis Sala, një shqiptare e njohur nga diaspora.

Sala është një nga figurat më të njohura në fushën e imazherisë onkologjike në nivel ndërkombëtar. Aktualisht, ajo drejton Qendrën për Imazheri Diagnostike dhe Radioterapi Onkologjike në Poliklinikën Gemelli dhe është pedagoge në universitet, ku kontribuon me përvojën e saj akademike dhe kërkimore për formimin e brezit të ri të profesionistëve të shëndetit.

Sala ka një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore në Mbretërinë e Bashkuar, ku për shumë vite ka qenë pjesë e Universitetit të Kembrixhit dhe ka bashkë-drejtuar Programin e Avancuar të Imazhimit të Kancerit dhe Programin e Integruar të Mjekësisë së Kancerit në Qendrën e Kërkimit të Kancerit në Kembrixh.

Kërkimi i saj shkencor fokusohet në zhvillimin e biomarkerëve funksionalë të imazhit për vlerësimin e shpejtë të përgjigjes ndaj trajtimit të kancerit, duke përdorur imazhe fiziologjike dhe metabolike të habitatit të tumorit. Fushat e saj të ekspertizës përfshijnë radiogjenominë, integrimin e imazherisë kuantitative me gjenomikën, proteomikën dhe metabolomikën, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për rindërtim dhe analizë të avancuar të të dhënave.