Ditën e hënë, që ishte dhe dita e parë e vitit të ri shkollor, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Fadil Gurmani” në Elbasan u rikthyen në banka në një ambient tërësisht të rikonstruktuar.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa foto nga shkolla e rikonstruktuar në ditën e parë të mësimit.
“Mbi 350 nxënës dhe mësues të Shkollës ‘Fadil Gurmani’ në Elbasan kanë nisur mësimin në klasa dhe ambiente moderne, pas një transformimi tërësor që e ka kthyer shkollën në një hapësirë të denjë për mësim, falë investimit të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Elbasan.”, shkruan Rama.
Ky investim përfshiu rikonstruksionin e plotë të godinës ekzistuese, sistemin e ngrohjes, klasat e mësimit, laboratorët dhe ambiente të reja rekreative për nxënësit. Objekti i ri është konceptuar për të ofruar jo vetëm kushte optimale mësimore, por edhe një ambient të sigurt dhe inkurajues për zhvillimin social dhe akademik të fëmijëve.
Në total, në bankat e shkollave të Bashkisë Elbasan këtë vit do të ulen rreth 15 mijë nxënës, prej të cilëve 1 mijë e 200 fëmijë do të nisin për herë të parë klasën e parë.