Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me deputetët dhe ish-deputetët e Tiranës pasditen e së mërkurës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme të kryebashkiakut të Tiranës, pas shkarkimit të Erion Veliajt.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi nevojën për një angazhim të gjithanshëm të anëtarëve të Partisë Socialiste, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për qytetin dhe për forcën politike që ai udhëheq.
“Dua të besoj që të gjithë deputetët, ata që janë aktualë, ata që ishin dhe mbeten për mua pjesë e skuadrës sonë të 11 majit, por dhe të gjithë ata të tjerët që banojnë në Bashkinë e Tiranës, do të mobilizohen që të përfshihen drejtpërdrejt duke marrë pjesën e tyre të përgjegjësisë në shpatulla,” theksoi Rama.
Kryeministri i vendit gjithashtu komentoi reagimet që kanë shpërthyer pas shkarkimit të një zëvendësi të Ministrisë së Brendshme, për shkak të përdorimit të cigares në një lokal të mbyllur, duke e cilësuar si të papranueshme çdo përpjekje për të përqeshur këtë veprim.
“U bë një llomotitje e madhe nga ata që iu ka rënë Diella në kokë, që duhet të presim të marrin veten, por që të marrin veten duhet të përballojnë fëmijët e Diellës, të cilët e përgjuan shkarkimin që ministrja e Brendshme i bëri zëvendësit për tymosjen e cigares në një lokal të mbyllur,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se një akt i tillë duhet të jetë një normë dhe parim i palëkundur i qeverisjes, duke e kritikuar ashpër çdo përpjekje për ta bërë këtë “hajgare”.
“Të bësh hajgare me këtë, do të thotë që të jesh një bisht cigareje i mbetur më kot në taketuken e jetës demokratike,” deklaroi ai.
Rama gjithashtu u shpreh i bindur se patronazhistët e PS-së janë të gatshëm të reagojnë ndaj çdo sfide që mund të dalë përpara tyre, duke u angazhuar për të siguruar fitoren në zgjedhjet e ardhshme.
“Sigurisht që duke mos pasur asnjë dyshim për këtë, nuk kam asnjë dyshim që patronazhistët mezi presin të hakmerren ndaj përqeshjeve të radhës, me një reagim të duhur që do të pasqyrohet me rezultatin e ditës së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës,” tha ai.
Në përfundim, Rama u shpreh se kjo garë do të zhvillohet në Tiranë, por dhe në qytete të tjera, duke përmendur Matin, Vlorën dhe Beratin, ku Partia Socialiste do të përballet me sfida të tjera.
“Po flas për Tiranën, se pastaj për Matin, Vlorën, Beratin e çfarë ka thelluar, goditja e patronazhistëve të atjeshëm do të jetë më e fortë se ajo e Tiranës. Prapë se prapë do të zhvillohet një garë, sikurse do zhvillohet kudo, sepse në fund të fundit jemi këtu për të fituar çdo garë,” përfundoi ai.