Ditët e fundit, e gjithë PD-ja, duke filluar nga Berisha dhe të gjithë poshtë tij, kanë filluar një betejë epike me Xhorxh Sorosin, duke u pozicionuar hapur në anën e Presidentit Trump. Pavarësisht se çfarë ndodh në SHBA, ky pozicionim i PD-së parathotë se fitorja e saj është e afërt dhe me t’u futur Sorosin (në mos plaku, i biri) në burg, radhën do ta ketë padyshim Edi Rama. Me këtë përmbyllet edhe revolucioni i premtuar dhe Berisha rikthehet në pushtet si triumfator, njëjtë si Donald Trumpi.
Nëse sheh të gjithë retorikën e PD-së, të krijohet pikërisht ky imazh i mësipërm, i cili më së shumti i ngjan një mirazhi alucinant. Por kush është frymëzuesi i kësaj retorike në PD?
Një shfletim i shpejtë i rrjeteve sociale, bëri që gazeta “TemA” ta zbulojë ideatorin e kësaj.
Nuk është as më shumë dhe as më pak veçse ambasadori i famshëm Gim Nesho, i cili, pasi u frymëzua dikur nga Çim Peka, bëri një shkrim të ‘frikshëm’ për Shqipërinë në Blogun e komenteve në ‘FoxNews’ ku e quajti Shqipërinë ‘Ramaduron e Evropës”, ndërsa tani nëpërmjet një editoriali, që do ta marrim vesh në ditët në vijim nëse edhe për këtë ka pasur të njëjtin burim frymëzimi, me titull: “Kavaleria po vjen…” zbulon se Rama është vëlla me Aleksin dhe të dy po komplotojnë për t’ia hedhur Presidentit Trump.
“Situata për të “mrekullueshmin radikal i majtë” Soros është akoma nën investigim. Ajo që dihet është se ai ndihet i mbrojtur në Shqipëri nga “vëllai i tij Rama”, të cilin vazhdon ta vizitojë dhe të darkojnë të sigurtë se do t’ja hedhin edhe Trump. Kjo siguri për Aleksin vjen se Rama sillet si lojtar dhe ka shitur interesat e vendit të tij në miq arabë dhe jo vetëm, të cilët do ta ruajnë pushtetin e tij.” – shkruan, veç të tjerash, në shkrimin e tij ambasadori Gim Nesho.
Më tej Nesho tregon se si Rama dëmtoi aleancën me SHBA kur u deklarua në 2016 kundër Trump.
“Rama ka punuar për të dëmtuar aleancën Shqiptaro-Amerikane si duke dënuar opozitën ashtu edhe duke ndërhyrë në politikën amerikane, si në vitin 2016 me deklaratat kundër Trump, ashtu edhe me dashurinë e pashpjegueshme për Alex Soros, duke i bërë sfidë direkte administratës Amerikane në dëm të interesave të kombit Shqiptar.”
“Rama duke bashkëpunuar me Soros ka shkatërruar demokracinë në Shqipëri, ka goditur opozitën dhe liderin e saj duke përdorur drejtësinë si armë pushteti.” – vijon më tej ai.
Pra, po ta shohësh të gjithë shkrimin, e kupton që e gjithë retorika dhe të gjitha tezat e opozitës dhe të PD-së, janë të frymëzuara nga ambasadori Gim Nesho, i cili, nga ana e tij, pritet ta zbulojë në ditët në vijim se nga kush e ka marrë frymëzimin për këtë shkrim./TemA