Shqipëria ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme në fushën e sigurisë kibernetike, duke u renditur në vendin e 15-të në botë me 85 pikë, sipas National Cyber Security Index (NCSI).
Ky rezultat përfaqëson një ngritje prej 39 pozicionesh krahasuar me vitin 2023, kur vendi ynë ishte në vendin e 54-të me 62.34 pikë. Brenda vetëm dy vitesh, Shqipëria ka kaluar dhjetëra shtete të mëdha, duke u shndërruar në një nga historitë më të jashtëzakonshme të suksesit në sigurinë kibernetike globale.
Ku konsistojnë disa nga pikat e progresit sipas NCSI (2023 → 2025)
Korniza ligjore dhe institucionale – Shqipëria ka përditësuar kuadrin ligjor, janë miratuar akte nënligjore të reja, ka një strategji kombëtare, plan veprimi funksional dhe është konsoliduar roli i AKSK si autoritet qendror për sigurinë kibernetike. Ndërgjegjësimi publik dhe analiza e kërcënimeve – është siguruar 100% përmbushje: publikohen raporte për kërcënimet kibernetike dhe zhvillohen fushata të rregullta ndërgjegjësuese, duke rritur nivelin e informimit të qytetarëve dhe institucioneve.
Reagimi ndaj incidenteve – nga boshllëqe të dukshme në 2023, sot Shqipëria ka arritur 100% përmbushje, me kapacitet kombëtar CIRT, mekanizma online për raportim dhe detyrime ligjore për operatorët.
Menaxhimi i krizave – një nga fushat me rritjen më të ndjeshme, falë planit kombëtar për krizat kibernetike dhe trajnimeve praktike kombëtare e rajonale.
Mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe e të dhënave personale – është arritur 100% përmbushje, duke vendosur detyrime ligjore për infrastrukturat kritike, skema auditimi dhe mbrojtje të garantuar nga autoritetet përgjegjëse.
Bashkëpunimi ndërkombëtar – Shqipëria ka përmbushur 100% të indikatorëve, duke marrë pjesë aktive në rrjete të BE-së, OSBE-së dhe iniciativa globale për ndërtimin e kapaciteteve.
Çfarë është NCSI?
National Cyber Security Index (NCSI) është një indeks ndërkombëtar që mat nivelin e përgatitjes së shteteve për të parandaluar kërcënimet dhe për të menaxhuar incidentet kibernetike. Ai zhvillohet nga E-Governance Academy (EGA) në Estoni, një organizatë e njohur globalisht për ekspertizën në qeverisjen digjitale dhe sigurinë kibernetike.
Indeksi përfshin 112 shtete dhe vlerëson mbi 40 indikatorë që mbulojnë: kuadrin ligjor dhe institucional, mbrojtjen e shërbimeve kritike dhe të dhënave personale, kapacitetet e reagimit dhe menaxhimit të krizave, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Rezultati i vitit 2025 tregon se Shqipëria nëpërmjet Autoritetit Kombëtarë për Sigurinë Kibernetike ka ndërtuar kapacitete të qëndrueshme institucionale dhe teknike, duke e bërë sigurinë kibernetike një element kyç të zhvillimit dhe integrimit digjital të vendit tonë.