Shkodër – Pas ngjarjes së rëndë kriminale që tronditi qytetin e Shkodrës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka shpërndarë një mesazh drejtuar efektivëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, ku shpreh mirënjohjen për reagimin e menjëhershëm dhe profesional të strukturave në terren.
“Reagimi juaj i guximshëm dhe profesional rezultoi me kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorit të krimit të djeshëm, ngjarje që dëshmoi edhe një herë rëndësinë e misionit të Policisë së Shtetit”, u shpreh Proda në mesazhin e tij.
Në komunikimin e bërë publik, Proda përcolli edhe mesazhin e ngushëllimit për familjarët e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarit, duke theksuar se Policia ka angazhuar të gjitha kapacitetet hetimore dhe operacionale për të zbardhur jo vetëm krimin e ndodhur, por edhe ngjarjet e mëparshme kriminale në qarkun Shkodër.
“Vendosmëria u dëshmua edhe në operacionin e fundit në lagjen ‘Guerrile’, ku u shkatërrua një bazë kriminale me arsenal armësh dhe u identifikuan dy mbështetës të autorit të krimit të djeshëm,” tha Proda.
Në fund të mesazhit, ai garantoi qytetarët se përkushtimi i Policisë së Shtetit për sigurinë publike është i përditshëm dhe i palëkundur.
“Ftoj qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë, sepse vetëm kështu mund të arrijmë objektivin tonë të përbashkët: sigurinë publike,” përfundoi mesazhin e tij drejtori Proda.