Një video që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale ka vënë në qendër të vëmendjes Cristiano Ronaldon, pasi ylli portugez shihet duke shtyrë me forcë një tifoz gjatë qëndrimit të ekipit kombëtar të Portugalisë në Armeni. Ngjarja ndodhi jashtë hotelit në Jerevan, ku lojtarët po përgatiteshin për ndeshjen kualifikuese të Botërorit ndaj Armenisë.
Në pamjet e publikuara, Bernardo Silva i Manchester City-t shfaqet duke dalë i pari nga hoteli, i ndjekur nga Ronaldo dhe pjesa tjetër e skuadrës.
Teksa po lëviznin drejt stërvitjes, një grup tifozësh entuziastë iu afrua lojtarëve, me dëshirën për të marrë autografe dhe foto. Njëri prej tyre iu afrua shumë pranë Ronaldos, i cili reagoi me një shtytje të fortë. Reagimi i menjëhershëm dhe i irrituar i 40-vjeçarit u filmua dhe ngjalli debat të madh në rrjetet sociale, ku përdoruesit shprehën zhgënjimin për sjelljen e kapitenit.
Rritja e interesimit për Ronaldon ishte ndjerë që në mbërritjen e tij në Aeroportin Ndërkombëtar Zvartnots, ku tifozët ishin mbledhur në numër të madh për ta përshëndetur. Mediat lokale raportuan për kërkesa të pandërprera për selfie dhe autografe gjatë qëndrimit të Portugalisë në vend.
Ronaldo, që aktualisht luan për klubin saudit Al Nassr, pritet të bëjë paraqitjen e tij të 222-të me fanellën e Portugalisë në ndeshjen ndaj Armenisë. Ai ka shënuar 138 gola në 221 ndeshje me kombëtaren dhe është një figurë kyçe në sukseset e fundit të skuadrës, përfshirë titullin e Euro 2016 dhe dy trofetë e Ligës së Kombeve në vitet 2019 dhe 2025.