ROZA ANAGNOSTI
Dhimitër Anagnosti, artisti shumëdimensional, regjisor i kamerës, skenarist, regjisor dhe poet.
Bashkëshorti im, dashuria ime.
Mendje ndrituri, duarfloriri, zemërbardhi im.
Dhimitri ishte artist në zemër e në shpirt. E donte vendin e tij pa kushte dhe kulturën e gjuhën shqipe i vlerësonte në maksimum.
Dashuronte vendin ku lindi, Vunoin. Jali dhe deti ishin frymëzimi i tij. Ishte njeri me një modesti të paparë. Ishte me karakter të fortë, po me një ndjeshmëri dhe dashuri të madhe për njerëzit. Dhe këtë e ka treguar në të gjitha veprat e tij.
Dashuronte pa masë familjen, mua, vajzat Juna dhe Era. “Duhet t’i bëjmë qytetare të mira – më thoshte – e kemi për detyrë”.
Dhimitri ishte njeri i papërtuar. Lexonte dhe punonte shumë. Ishte organizator i përsosur. E vlerësonte njeriun e punës dhe thoshte: “Puna është kokëfortë”! Nuk ankohej për çdo situatë të krijuar në punë e shtëpi, mundohej të gjente zgjidhje. “Nuk i kam bërë asnjeriu keq – thoshte – dhe në qoftë se kam lënduar njeri, e kam bërë pa dashje”.
Kohën e vlerësonte në maksimum.
Dhimitri ishte inteligjent dhe i drejtpërdrejtë. Të ndihmonte njerëzit ishte motivi i tij.
E donte jetën dhe mundohej t’i merrte më të mirën. Nuk ishte materialist. Thoshte: “Më shumë se e nevojshmja, është mëkat”. Jetuam në një apartament të thjeshtë e modest në Tiranë, e verës në konakun e Jalit. Veprave krijuese u jepte zemër e shpirt pa limit. Thoshte: “Më ka dhembur çdo plan e kuadër i çdo filmi”.
Bashkëpunëtorët i vlerësonte në maksimum, por kryefjalë për Dhimitrin ishin aktorët që i adhuronte. Ishte magjistar i fjalës shqipe. E dinte që ka lënë vepra që do vlerësoheshin në kulturën shqiptare. Gjithmonë ishte prapa kamerës: “Te veprat jam edhe unë. Aty do më gjeni”. Siç thuhet në këngën kushtuar Anagnostit: “Kinemaja jote një atdhe në ekran, ku shpirti i Shqipërisë përjetë merr frymë pranë”. Ma mbajti krahun fort. Dashuria dhe respekti ishin motivi. E kam me vete në çdo moment. Iku fizikisht po me mua është në frymë, në zemër e shpirt derisa të bashkohemi. Faleminderit të gjithë shqiptarëve, në Shqipëri e Kosovë, e anë e mbarë botës, për vlerësimin, ndjeshmërinë e respektin që treguan për të artistin e të shtrenjtin tonë, Dhimitër Anagnosti!
Shkrimi, posaçërisht për gazetën “Panorama”