Nga Klevis Bakillari
Një nga paradokset është se Edi Ramës nuk i duhet më të afrojë kundërshtarët. Pushteti i gjatë, i madh dhe i padiskutueshëm i bën vetë ata t’i afrohen vetë. Në kushtet ku horizonti politik është i mbushur me një forcë të vetme, opozitarët, vështirë të luftojnë për alternativa,por do të gjejnë më të leverdisshme të kërkojnë strehë brenda kampit të fitimtarit.
Ky është një refleks i njohur në shoqëritë me institucione në konsolidim e sipër: pushteti i fortë kur bie në kontakt me oportunizmin, nuk prodhon sfida, por besnikë të rremë. Në këtë panoramë, Shqipëria rrezikon të kthehet në një “fshat politik”, ku të gjithë i shkojnë një dere të vetme, jo nga bindja, por nga oportunizmi. Dhe oportunizmi është ndoshta fenomeni më i theksuar i tranzicionit shqiptar. Kur karriera, posti apo interesi personal peshojnë më shumë se ideologjia dhe morali politik, atëherë pluralizmi nuk ka më kuptim. Ai reduktohet në fasadë: ngjyra të ndryshme që në thelb ushqejnë të njëjtin pushtet.
Me shpalljen e qeverisë së re, ky rrezik do të bëhet edhe më i dukshëm. Një pjesë e ish figurave të djathta, militantë apo ish-drejtues të Partisë Demokratike, të lodhur nga qëndrimi i pafund në opozitë,do të shfaqen të gatshëm,siç kanë nisur tanimë, të gjejnë strehë tek pushteti. Ky fenomen nuk është thjesht individual, por simptomë e një terreni politik ku lodhja dhe oportunizmi bashkohen për të ushqyer një pushtet të vetëm.
Por “fshati politik” nuk është i pashmangshëm. Përkundrazi, ai mund të kthehet në një sfidë pozitive për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Sfida është e qartë: si të mos e shndërrojnë pushtetin e madh në një magnet oportunistësh, por në një model qeverisjeje që i jep frymë konkurrencës politike dhe e mban gjallë pluralizmin. Nëse PS arrin të ruajë hapësirën për zëra të ndryshëm, të respektojë institucionet dhe të krijojë kushte konkurrueshmërie, atëherë rreziku i “fshatit politik” mund të shndërrohet në një mundësi për forcimin e demokracisë.
Shqipëria s’ka nevojë të bëhet një fshat politik ku të gjithë trokasin në një derë të vetme. Ajo ka nevojë të bëhet një qytet politik – me shumë rrugë, shumë dritare dhe shumë zëra. Pushteti i gjatë është një provë e rëndësishme, por prova më e madhe është kjo: të mos lejohet që shoqëria shqiptare të ngushtohet në një hapësirë të vetme politike, e shtyrë nga oportunizmi. Nëse qeveria e re do ta kuptojë këtë, ajo nuk do të ketë bërë thjesht një mandat tjetër, por një shërbim historik për të ardhmen demokratike të Shqipërisë.