Serbia u përfshi sërish nga protesta të dhunshme mbrëmjen e së premtes. Në Novi Sad, protestuesit u përleshën me policinë duke kërkuar largimin e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Një episod i rrezikshëm ishte edhe momenti kur protestuesit tentuan t’i vendosnin zjarrin ndërtesës së Fakultetit të Filozofisë në Novi Sad. Policia ndërhyri për të ndaluar këtë tentativë, ndërkohë që mes tyre e protestuesve situata u përshkallëzua në dhunë.
Rreth 11 efektivë mbetën të plagosur në Novi Sad nga përleshjet me protestuesit. Disa prej këtyre të fundit janë arrestuar. Policia u detyrua të përdorte gaz lotësjellës për të shpërndarë turmat.
Sipas autoriteteve serbe, në të gjithë Serbinë ishin grumbulluar rreth 10 mijë protestues. Nga këta, rreth 7000 ishin vetëm në Novi Sad.
Në përfundim të protestave, Presidenti serb Vuçiç i quajti frikacakë protestuesit në Novi Sad.
“Nuk do ta mposhtin kurrë Serbinë dhe organet ligjzbatuese. Këta janë frikacakë dhe horra që sulmojnë njerëzit të cilët bëjnë punën e tyre. Të mjerët dhe frikacakët nuk do të fitojnë kurrë”, u shpreh Vuçiç.
Ai theksoi se situata me protestat në Serbi ishte në rregull, përveç se në Novi Sad. Sipas Vuçiç, dhuna dhe prishja e rendit nuk do të tolerohet.
“Kur institucionet në Serbi kërcënohen, na takon neve të ndërhyjmë, sepse nuk do t’i lejojmë ato të shemben dhe të digjen”, theksoi kreu i shtetit serb.
Protestat masive në Serbi vijojnë prej disa muajsh.