Shtetet e Bashkuara kanë reaguar zyrtarisht ndaj diskutimeve që po zhvillohen brenda FIFA-s për një mundësi pezullimi të Izraelit nga garat ndërkombëtare të futbollit, përfshirë edhe Kupën e Botës 2026. Përmes një deklarate të lëshuar nga Departamenti i Shtetit, administrata amerikane ka shprehur mbështetje të plotë për Federatën Izraelite të Futbollit dhe ka konfirmuar se janë në zhvillim hapa diplomatikë për të ndalur këtë proces.
“Ne do të punojmë për të ndaluar çdo përpjekje për të përjashtuar ekipin kombëtar të Izraelit nga Kupa e Botës,” thuhet në deklaratë. Kjo nismë po drejtohet nga senatori Marco Rubio, i cili ka qenë një nga zërat më të zëshëm në mbrojtje të pranisë së Izraelit në arenën sportive ndërkombëtare.
Reagimi i Uashingtonit vjen në një kohë kur, sipas burimeve diplomatike, brenda FIFA-s dhe UEFA-s po shqyrtohen kërkesat për sanksione ndaj ekipeve izraelite, për shkak të situatës së përshkallëzuar në Gaza. Sipas burimeve, nuk ka ende një vendim përfundimtar, por presioni ndërkombëtar po rritet.
Ndërkohë, Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje FIFA-s dhe UEFA-s që të ndërmarrin masa ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në garat ndërkombëtare, duke kërkuar pezullimin e klubeve dhe ekipit kombëtar deri në një zgjidhje të konfliktit.
Në të njëjtën kohë, FIFA ka nisur një hetim zyrtar ndaj Federatës Izraelite të Futbollit, pas një ankese të paraqitur nga Shoqata Palestineze e Futbollit, e cila e akuzon atë për diskriminim sistematik dhe shkelje të rregullave ndërkombëtare të sportit.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa Kupa e Botës 2026 – e cila do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada – afrohet me një sfond gjithnjë e më të politizuar.