Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se ndeshja kualifikuese e Botërorit mes Serbisë dhe Shqipërisë nuk do të zhvillohet në Beograd, por në qytetin e Leskovcit. Duke folur në një intervistë për televizionin “Informer”, kreu i shtetit serb u shpreh se ky ndryshim është i nevojshëm për shkak të atmosferës së krijuar në stadiumin “Rajko Mitić” gjatë përballjes me Anglinë, e cila përfundoi me rezultatin 0:5.

Vuçiç kritikoi ashpër publikun në Beograd, duke thënë se tifozët nuk e mbështesin kombëtaren dhe shpesh reagojnë në mënyrë negative.

“Aty tifozët nuk e duan kombëtaren dhe e pamë të gjithë se çfarë ndodhi në tribunë dhe në fushë. Në Leskovac atmosfera është krejt tjetër, njerëzit e duan kombëtaren dhe janë të gatshëm ta mbështesin me gjithë zemër,” deklaroi ai, duke shtuar se mbetet e paqartë nëse do të ketë tifozë në shkallë, pasi UEFA dhe FIFA mund të vendosin dënime pas incidenteve të ndodhura kundër Anglisë.

Presidenti serb u ndal edhe te huliganët që shkaktuan përplasje fizike gjatë ndeshjes, duke kujtuar se Beogradi historikisht ka treguar një qëndrim të ftohtë ndaj kombëtares. Ai solli si shembull vitin 1987, kur Serbia humbi 4:1 ndaj Anglisë, duke thënë se “as atëherë nuk brohoritëm” dhe se pjesë të tifozëve në kryeqytet gjithmonë kanë zgjedhur të provokojnë në vend që të mbështesin skuadrën.

Vuçiç u shpreh gjithashtu i pakënaqur me trajnerin Dragan Stojkoviç, për të cilin tha se duhej të motivonte më mirë lojtarët dhe të vendoste një taktikë më efektive, por njëkohësisht theksoi se nuk mund ta kritikojë rëndë për shkak të kontributit të tij në futbollin serb. Ai hodhi akuza ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, duke pretenduar se vendimi për të zhvilluar ndeshjen me Anglinë në Beograd dhe jo në Leskovac ishte marrë për shkak të presionit nga ambasada britanike.

“Federata nuk mundi të përballonte presionin. Anglezi Fergusoni dërgonte mesazhe tek të gjithë, nga Suzana Vasiljeviç deri te Tanja Joviç. Ai kërkonte që përfaqësuesja e tij të luante në kushte më të mira. Zvicra dhe Danimarka kanë ardhur në Leskovac, por anglezët jo,” tha Vuçiç, duke theksuar se përballja ndaj Shqipërisë do të zhvillohet në një ambient ku kombëtarja do të ndiejë më shumë mbështetje.